Ballina Vendi Balla me kreun e KLP: Thyem kasafortën e sekreteve të bandës kriminale....

Balla me kreun e KLP: Thyem kasafortën e sekreteve të bandës kriminale. Mbrojtje për dy prokurore

10

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zhvilluar një takim me kreun e KLP-së Alfred Balla, me të cilin ka diskutuar në lidhje me çështjen e sigurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ministri Balla në fjalën e tij bëri me dije se ka vënë në dijeni Drejtuesin e KLP-së dhe Prokurorisë së Posaçme mbi një qasje të re, e cila javën e ardhshme do të fillojë zbatimin e saj.

Më tej, ministri theksoi se falë punës së Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, është arritur thyerja e kasafortave të sekreteve të një bande kriminale, ndërsa paralajmëroi zhvillime të reja gjatë ditëve në vijim.

“Së pari, jemi takuar sot, nuk është takimi i parë. Kemi diskutuar për çështjen e sigurisë së prokurorëve, por në vëmendjen tonë është siguria e të gjithë magjistratëve. Dua të garantoj çdo prokuror dhe gjyqtar se MB, policia e shtetit dhe garda e Republikës, janë në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari dhe sigurinë e çdo gjyqtari, prokurori dhe familjeve të tyre. Nuk ka mungesë të kuadrit ligjor apo vulnerabilitet.

Falë punës së prokurorisë dhe të policisë së shtetit ne kemi arritur të thyejmë kasafortat e sekreteve të një bande kriminale dhe ditët në vijim do arrijmë të thyejmë edhe të tjerë.

Ajo që për mua sot ka rëndësi, është që kemi diskutuar dhe kam njohur drejtuesit e KLP, Prokurorisë së Posaçme mbi një qasje të re që ne me Rrumbullakun dhe komandantin e Gardës kemi diskutuar dhe do jemi këtu pas një jave për të filluar zbatimin e saj, e cila do përfshijë dhe ndryshime jo në ligj, por në vendimet e Këshillit të Ministrave për të garantuar që gjithçka është ligj të jetë e reflektuar si duhet dhe në vendimet e KM. E vërteta është që kur bëhet fjalë për prokurorinë e posaçme antikorrupsion dhe gjykatën do ketë vëmendje të shtuar dhe të keni të sigurt se secila nga institucionet e varësisë së ministrisë që unë drejtoj do rrisin masat e sigurisë për të garantuar që këto institucione të bëjnë detyrën e tyre”, tha Balla.

Ndërsa kreu i KLP-së nga ana e tij, bëri me dije se dy prokuroreve, asaj të SPAK, Doloresa Musabelliu dhe asaj të Lushnjes, Merita Selimi iu është caktuar mbrojtje.

“Ky është një bashkëpunim që do të vijojë periodikisht dhe në të ardhmen. Gjatë këtij takimi u prek dhe ky moment. Prokuroria ka komisionin e mbrojtjes së prokurorëve dhe çdo prokuror që e ndjen vetes të rrezikuar, qoftë fizikisht, personalisht dhe për familjarët e tij, ka të drejtë t’i drejtohet komisionit dhe menjëherë sipas kushteve dhe kritereve ligjore, u caktohet mbrojtja. Doloresa Musabelliut dhe prokurores Merita Selimi i është caktuar mbrojtja”, tha kreu i KLP-së.