Ballina Vendi Atentati në Shkodër, verifikohet targa e mjetit që u largua autori: Çfarë...

Atentati në Shkodër, verifikohet targa e mjetit që u largua autori: Çfarë u zbulua

43

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Shkodrës mesditën e të premtes, ku u vra në një atentat me armë zjarri 36-vjeçari Elis Roshkodoli.

Policia ka mundur të verifikojë targën e automjetit me të cilën u largua autori. Burime bëjnë me dije se ka rezultuar se automjeti ka qenë iu vjedhur më datë 5 gusht në Malin e Zi.

Vlen të theksohet se ndryshe nga atentatet e tjera ku kemi patur djegie të makinës, vrasësit e Elis Roshkodolit nuk e përdorën një taktikë të tillë.

36-vjeçari u qëllua me 18 plumba teksa po konsumonte kafe në një lokal në  rrugën “Isuf Sokoli” në lagjen Zdrale të qytetit. Në momentin e atentatit, Roshkodoli ishte i vetëm në tavolinë.

Nga veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka gjetur në çantën e dorës të 36-vjeçarit, 1 armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.

Pasja e armës me fishek në fole ngre dyshime se i riu i trembej një sulmi të mundshëm.

36-vjeçari është një person me precedent të theksuar kriminal. Më datë 22 prill të vitit 2023 ai ka plagosur me thikë pronarin e një lokali në Bukuresht të Rumanisë.

Roshkodoli e ndoqi biznesmenin rumun rrugës kur ai po kthehej në banesë dhe e goditi me mjet prerës në një pritë. Biznesmeni Jean Sasu, u transportua në spital ku mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Gjithashtu 36-vjeçari rezulton i akuzuar nga autoritetet belge për përfshirje në një grup të rrezikshëm kriminal që merrej me grabitje.

Edhe babai i tij është ekzekutuar me armë zjarri në qytetin e Shkodrës gjatë trazirave të vitit 1997.