Ballina Vendi Arrest me burg për 2 zyrtarë të policisë, jepnin, kundrejt parave, patentat...

Arrest me burg për 2 zyrtarë të policisë, jepnin, kundrejt parave, patentat e hequra për shkelje të rregullave të qarkullimit  

2

Veprimet e dyshuara si korruptive për t’ju dhënë para afatit lejet e pezulluara të drejtimit të automjeteve, që ishin hequr në bazë të Kodit Rrugor, kanë çuar në burg dy drejtues të lartë të Policisë Rrugore në Tiranë.

Sipas një njoftimi, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Tiranë, kanë kryer hetime në kuadër të procedimit penal, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit.

“Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi nën hetim E. P., me detyrë Shef Seksioni për Shërbimet Ekonomike dhe Personelin, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë dhe shtetasi nën hetim A. L., me detyrë Trupë Shërbimi Nd/Specialist pranë Seksionit të Parandalimit dhe Sigurisë në Linjat jashtë qytetit, në Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi në një periudhë kohore disa mujore, kanë premtuar dhe siguruar qytetarë të ndryshëm, drejtpërdrejt apo mes personave të tjerë, që kundrejt përfitimeve monetare të parregullta, do tju kthenin para afatit të pezullimit lejet e drejtimit të pezulluara sipas sanksioneve të Kodit Rrugor, që administroheshin në Zyrën e Kartotekës së OASH.”- thuhet në njoftim.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg” për shtetasit: E. P., i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, A. L., i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Tiranë ka ekzekutuar masat e sigurimit të caktuara me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”- informon Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

/rtsh.al/