Ballina Vendi Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për ish-truprojën e Saimir Tahirit,...

Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për ish-truprojën e Saimir Tahirit, 13 vite burg për trafik droge

7

Gjykata e Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 13 vite burg të Hekuran Markut, ish-truprojës së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Vendimi u mor pas ankimit të Markut. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë 8 vite e 8 muaj burg.

Hekuran Marku është akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Marku u ekstradua nga Gjermania në Shqipëri pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme. Emri i tij doli në operacionin ndërkombëtar të koduar “Shpirti”.

Si pasojë e këtij operacioni janë vendosur në pranga biznesmenë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit të akuzuar si pjesëmarrës në veprimtaritë kriminale të drogës.

Marku ka qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit në kohën kur ishte ministër në vitet 2014–16.

Përgjatë kësaj periudhe, sipas dosjes së SPAK-ut, Marku akuzohet se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar ka trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.