Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja njoftoi se amnistia në burgje nuk do të presë fundin e vitit por, është parashikuar të bëhet brenda pak kohëve.
Ende jo zyrtarisht mësojmë se do të jenë afro 600 persona që do të fitojnë lirinë nga qelitë e burgimit, ndërsa qindra të tjerë të do të përfitojnë pushim të gjykimit, apo hetimit penal.
“Qëllimet dhe parimet e amnistisë penale udhëhiqen nga parimet e riedukimit dhe risocializimit të të dënuarve në shoqërinë shqiptare, por edhe qëllime të tjera që kanë të bëjnë me reduktimin e mbipopullimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Ka qenë zakon që amnistitë bëhen në fund të vitit, por ka ca kohë që është thyer kjo tabu”, tha Manja.
Në draft është parashikuar përjashtimi nga dënimi me burg, me gjobë apo ai alternativ, i personave të dënuar me vendim të formës së prerë për vepra të lehta penale, për dënime të dhëna deri më 30 qershor 2016.
Në nenin 4 të projektligjit, listohen kriteret ndaluese, që përjashtojnë nga përfitimi të gjithë të dënuarit për krimet të rënda, mes të cilave, vrasje, terrorizëm, a krime seksuale.
Po ashtu përjashtohen të dënuarit, apo personat nën hetim për krimet zgjedhore, për lojërat e fatit, si edhe personat që i janë fshehur drejtësisë.