Ballina Vendi AMA bashkëpunim me TikTok, Krasniqi: Raportoni përmbajtjet e dëmshme!

AMA bashkëpunim me TikTok, Krasniqi: Raportoni përmbajtjet e dëmshme!

11

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur një bashkëpunim me platformën TikTok, që synon ndalimin e shpërndarjes së përmbajtjeve të dëmshme, siç janë videot ku shfaqet apo nxitet dhunë e çdo lloji, që përmbajnë gjuhë urrejtje, që shkelin të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut etj.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, në një postim në rrjetet sociale ku ka sqaruar se në platformën TikTok, është hapur për llogari të Autoritetit, një kanal, në të cilin do të  hidhen përmbajtjet e verifikuara nga ekipet e AMA-s, si të dëmshme, për tu ndjekur më pas zyrtarisht nga Platforma për masa të mëtejshme.
Për këtë arsye në webin zyrtar të AMA-s është hapur një dritare e dedikuar, ku mund të raportohen videot e dëmshme, që publiku ndesh gjatë lundrimit në platformën TikTok: https://ama.gov.al/denonco-shkelje-per-tiktok/

Videot e ardhura nga këto raportime do të shqyrtohen nga ekipet e AMA-s, dhe çdo video e konstatuar në shkelje të së drejtës dhe etikës do të raportohet zyrtarisht në Platformë për marrjen e masave të nevojshme.

“Duke filluar nga sot, ju ftoj të raportoni në linkun e dedikuar, në faqen zyrtare të AMA-s, çdo përmbajtje të dëmshme sipas mendimit tuaj, që shfaq apo nxit dhunë, që përmban gjuhë urrejtje, që shkel të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve”, shkruan Krasniqi. “Çdo përmbajtje që cenon liritë tona duhet ndaluar. Bashkërregullimi është tashmë formula e gjithëpranuar për një treg mediatik të dobishëm për të gjithë, dhe ne mund të bëhemi pjesë aktive e këtij proces”.

/ rtsh.al /