Ballina Vendi Akuzohet për vrasje me dashje, arrestohet punonjësi i policisë në Korçë

Akuzohet për vrasje me dashje, arrestohet punonjësi i policisë në Korçë

1

Arrestohet një punonjës policie në Korçë.

Mësohet se inspektori A.B., me detyrë trup shërbimi në Pikën e Kalimit Kufitar Goricë, është arrestuar si i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë.

Para dy ditësh, në gjendje të dehur dhe jashtë detyrës funksionale, ai është përfshirë në konflikt për motive të dobëta me shtetasin B. D., të cilin ka tentuar ta qëllojë me armën e zjarrit pistoletë, të cilin e disponon si punonjës policie.

Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në momentin që punonjësi i policisë i ka drejtuar armën e shërbimit shtetasit B. D., ky i fundit ka mundur ta ndalojë duke i marrë armën nga dora, të cilën më pas e ka dorëzuar pranë shërbimeve të policisë.

Ndaj punonjësit të policisë janë referuar materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë.

Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.