Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë pasdite në dalje të Tiranë, pranë autostradës Tiranë- Elbasan. Një makinë duket se ka rënë nga mbikalimi, duke goditur edhe një makinë tjetër. Mësohet nga policia se 2 shtetase kanë humbur jetën, ndërsa 3 të tjerë janë plagosur, të gjithë nga makina që ka rënë nga mbikalimi.
Shtetasi Q. K., duke drejtuar automjetin, në unazën lindore, dyshohet se duke dalë për tek rrethrrotullimi i Tegut, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi, mbi kofanon e një automjeti tjetër.
“Më datë 09.03.2023, rreth orës 18:05, shtetasi Q. K., duke drejtuar automjetin, në unazën lindore dyshohet se duke dalë për tek rrethrrotullimi i Tegut, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga mbikalimi, mbi kofanon e një automjeti tjetër. Si pasojë kanë humbur jetën dy shtetase femra, si dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasit Q K., O. K., dhe K. R., të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Mbi rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, dhe për gjendjen shëndetsore të të dëmtuarve në spital, do të keni njoftim në vijim.”- njofton policia.
/rtsh.al/