Drejtuesi i autobusit të linjës së “Unazës”, 62-vjeçari, Agron Xhafa, i cili u përfshi në një aksident mesditën e së hënës, (27 shkurt) në Tiranë, duke lënë të plagosur nëntë persona dhe duke dëmtuar disa automjete është arrestuar nga Policia. Ai akuzohet për “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Aksidenti i shumëfishtë ndodhi mesditën e së hënës në një zonë të rënduar nga trafiku, por që fatmirësisht nuk shënoi asnjë viktimë.
Autobusi i transportit publik i linjës së Unazës u përplas zinxhir me disa automjete pranë “Urës së Tajvanit” duke lënë të plagosur 9 persona, që ndodhen nën kujdesin e mjekëve, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autobusi përplasi fillimisht një “Audi” dhe më pas mori përpara disa automjete të tjera.
Shoferi mbeti edhe vetë i dëmtuar, por pas testit të kryer nga policia në spital, ai rezultoi se nuk ishte nën efektin e alkoolit. Ashtu si ai, edhe drejtuesit e tjerë të makinave që u përfshinë në aksident, nuk rezultuan pozitiv në testin e alkoolit që efektivët e policisë rrugore u bënë.
Përveç 62-vjeçarit, mes të plagosurve janë 2 janë vajza, 35 dhe 31 vjeç dhe 2 shoferë të automjeteve të përplasura.