Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës veprimet e një agjencie punësimi në Tiranë, e cila mban plot 5 vjet në pritje qytetarët për ti dërguar në Gjermani.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua një qytetar nga Fieri, i cili pagoi një shumë prej 1500 euro në “Europe Agency” në vitin 2017 për t’u punësuar në shtetin gjerman. Aplikimin e bëri në moshën 35-vjeçare, ndërkohë aktualisht është 40 vjeç edhe ende nuk ka shkuar me kontratë pune në Gjermani.
“I jam drejtuar ‘Fiks Fare’ se kam bërë një kërkesë në një agjenci që çon punëtorë në Gjermani. Quhet ‘Europe Agency’, i jam drejtuar në vitin 2017. Kam parë reklama dhe iu drejtova. Kjo agjenci i çonte njerëzit në Gjermani në bazë të kualifikimit të gjithsecilit. Unë e kisha si pllakashtrues, në ndërtim. Kam shkuar në fillim të 2017-ës, lidha një kontratë paraprake dhe bëra një pagesë 1500 euro. Kjo agjenci ishte rekrute e cila më lidhte mua dhe punëdhënësit në Gjermani. Pagesa ka qenë 4000 apo 5000 euro. 1500 euro i kam paguar. Ka qenë kësti i parë” tha qytetari.
Sipas tij, kontrata në 2017-ën ka pasur disa pika. “Nëse agjencia nuk zbatonte këto pika do të kthehej pagesa. Dhe do mbanin 200 euro si shërbime. Nga 2017 deri në 2019 s’mu krye asnjë shërbim. Shkoja sërish për t’u interesuar. Nga Fieri deri në Tiranë mund të shkoja dy herë në muaj. Pasi ata e panë që po shkoja shpesh, më detyruan të firmosja një kontratë të dytë. Atë dita vura re se në kontratë ishte shkruar se nëse nuk zbatohej nga agjencia, dilte e pavlefshme” vijon qytetari. Sipas tij, agjencia i ndërronte punonjësit dhe kontrata e re ishte se për 3 muaj do të mbaronte punë.
“5 vite unë s’kam gjetur zgjidhje. Vitin e fundit kanë gjetur justifikimin se ambasada s’ka punuar se ka qenë pandemia, por unë s’e shoh të nevojshme. Gjithë këto vite janë vetëm justifikime. Në momentin që aplikova kam qenë 35 vjeç dhe për 1 muaj tani unë mbush 41 vjeç. 5 vite diferencë që unë po pres. Kam kaq vite që punoj në pllaka dhe gjunjët më kanë lënë dhe unë s’ia kam më nevojën këtij zanati kësaj pune. Për moshën do gjej ndonjë punë të lehtë, pasi ky zanat ka gjunjët dhe dhimbjen e mezit” shton ai.
Ndërkohë, 1500 euro që ka paguar si kësti i parë, vijojnë të jenë të bllokuar në agjenci. “Pagesën s’e marr dot mbrapsht. As në Gjermani, as në punë, asgjë. Shpenzimet rriten dita-ditës. Unë me ato shpenzime po arrij ti kap prapë ato shpenzime” përfundon qytetari.
Pas ankesës, qytetari bashkë me gazetarët e “Fiks Fare”, shkon në ambientet e agjencisë, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Bisedojnë me një punonjëse, e cila u thotë se dërgimi në atë shtet “është si bingo”. “Nuk varet nga ne, varet nga ambasada. Ambasada tall b…n me ne. Për lekët do flasësh me pronarin, bjeri letrat ti çojmë te zyra jonë juridike” i thotë punonjësja. Ndërkohë, qytetari i thotë se ka 5 vjet dhe s’ka më fuqi, ndërsa punonjësja i përgjigjet se “sërish nuk varet nga ne, ne e kemi bërë punën tonë, kontratën ua kemi siguruar”.
Ndërkohë, gjatë këtij takimi, denoncuesi i thotë punonjësve të kësaj agjencie se, përveçse nuk e kanë dërguar në Gjermani dhe i kanë marrë shumën e eurove, ka bërë punime në ambientet e agjencisë. “Unë kam shtruar pllaka te zyrat tuaja. Një tjetër suvanë. Një tjetër ia leu dhe një person i bëri elektrifikimet” i thotë, ndërsa punonjësit i përgjigjen se “u kemi marrë në provë”.
Pas disa ditësh, qytetari shkon sërish në këtë agjenci, ku kësaj herë takon një person me emrin Mondi, i cili hiqet edhe si pronar. Mondi bën pazar me 1500 euroshin e qytetarit. Në fillim i thotë do të jap 750 euro dhe më pas shumën ia çojnë 1000 euro. “1000 euro të takojnë sipas kontratës. 500 euro i kemi pasur ne si shërbime” i thotë Mondi dhe një punonjëse. Ndërkohë, qytetari nuk pranon, pasi kërkon 1300 euro, ku shërbimet e kësaj agjencie kanë qenë vetëm 200 euro. Por, në fund, ata i thonë se do të bisedojnë edhe për këtë shumë dhe do t’i kthejnë përgjigje shumë shpejt. Por, megjithëse kanë kaluar disa javë nga kjo bisedë, ende nuk ia kanë kthyer shumën!