Mrekulli po konsiderohen gjashtë shpëtimet e arritura mëse 100 orë pas tërmetit fatal 7.8 ballë në Turqi që deri tani numëron mbi 21 mijë të vdekur dhe mëse 80 mijë njerëz të plagosur, raporton noa.al.
Vetëm në një kompleks godinave banimi në Hatay janë realizuar gjashtë operacione të suksesshme kërkim-shpëtimi duke nxjerrë të gjallë burra, gra dhe fëmijë që mbijetuan më shumë se katër ditë nën rrënoja nën motin e acartë, mungesën e ushqimit dhe ujit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit që punojnë në rrënojat e godinës së banimit Arzu, i cili u shkatërrua në lagjen Iskenderun të Hatay, konstatuan se 9 persona ishin gjallë.
Si rezultat i kërkimeve, 6 persona u shpëtuan të gjallë 101 orë pas tërmetit.
Sakaq po punohet për të shpëtuar tre personat e mbetur.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit të ekipeve vazhduan në një tjetër apartament tek ndërtesat e shkatërruara.
Ekipet arritën të shpëtojnë 32-vjeçaren Sebahat Varlı dhe djalin e saj 10-vjeçar Serhat, të cilët ishin në rrënoja.
Sebahat dhe Serhat Varlı, u shpëtuan në orën 101 si rezultat i kërkimit dramatik në vështirësi të mëdha.
Nënë e bir të plagosur janë dërguar në spital me autoambulancë nga ekipet e Urgjencës Shëndetësore.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit, të cilat filluan pas tërmeteve që prekën 10 provinca, vazhdojnë duke përdorur kamera termike dhe pajisje dëgjimi audio.
Ekipet arritën të pikasin një inxhinier civil 30-vjeçar, dhe nisën kërkimin në ora 23.00 mbrëmë. Sot në mëngjes u arrit të tërhiqej nga rrrënojat dhe u dërgua në autoambulancë me duartrokitje.
Përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë në zonë.
Kështu, dy persona u shpëtuan nga nën rrënojat, mëse 100 orë pas tërmetit.
Gjatë punës së largimit ttë rrënojave ë Hatay, foshnja 1.5 vjeç Sela dhe familja e saj prej katër anëtarësh të tjerë u gjetën dhe u nxorën të gjallë.
Sela Elbarazi, teksa u shpëtua nga rrënojat, i është dorëzuar ekipit mjekësor dhe ekipet kanë derdhur lot gëzimi.
E ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit të bashkisë Pendik që punojnë në Hatay, intensifikuan punën e tyre duke dëgjuar zhurmën e një foshnjeje.
Pas përpjekjeve intensive, foshnja 18 muajshe është nxjerrë nga rrënojat. Më pas, prindërit, vëllai dhe daja i bebes janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat.
Ekipet e kërkim-shpëtimit të Bashkisë Metropolitane të Stambollit shpëtuan edhe një foshnjë 10-ditëshe të quajtur Yağız Ulaş. Ajo u gjet nën rrënojat me nënën e saj, më shumë se katër ditë pas tërmetit fatal. /noa.al