Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, njëkohësisht dhe Kryetar i Grupit Parlamentar Taulant Balla në përkujtim të 21 janarit ka vizituar sot familjen e dëshmorit Faik Myrtaj. Balla ka theksuar se sot pas 12 vitesh urdhëruesi i vrasjeve vazhdon të rrahë gjoksin si dhe nënvizoi se SPAK duhet të hetojë urdhëruesit dhe ekzekutorët në krimin shtetëror të 21 Janarit 2011. “Në Fier, në familjen e dëshmorit Faik Myrtaj në përkujtim të shokëve tanë të 21 Janarit.
Faiku një burrë i mirë e i paqtë nuk i njohu dot nipin dhe mbesat e tij, sepse ra dëshmor duke protestuar kundër regjimit të Sali Berishës 12 vite më parë. Ajo që të irriton më shumë sot pas 12 vitesh është ironia ndaj drejtësisë, ndërsa urdhëruesi i vrasjeve vazhdon të rrahë gjoksin.
Dosja penale për tre nga katër vrasjet dhe vendimet e gjykatave janë një nga turpet e mëdha në atë që quhej drejtësi në këtë vend. Edhe pse u vërtetua bereta e komandantit të gardës PZ52778, vrasja e Faik Myrtajt u cilësua nga gjykatatrat pa autor.
E vetmja dosje e pagjykuar është dosja e dëshmorit tjetër Aleks Nika, e cila sorollatet në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës, edhe pse duhet t’i kishte kaluar SPAK prej shumë kohësh tashmë. Prej disa muajsh kërkesa e familjarëve, avokatit dhe apeli im publik i përsëritur pret përgjigje. SPAK të hetojë urdhëruesit dhe ekzekutorët në krimin shtetëror të 21 Janarit 2011”, shprehet Balla./Tv Kombi/