Ka dalë foto e të riut që kreu masakër në një supermarket në Nju Jork.
Dhjetë persona janë vrarë nga të shtëna me armë. Një 18-vjeçar i veshur me veshje ushtarake u arrestua pas një përplasjeje në vendin e ngjarjes në qytetin e Buffalo.
I dyshuari hyri në një supermarket pasdite përpara se të hapte zjarr. Ai përdori një kamerë për të transmetuar sulmin në internet, tha policia. Presidenti i SHBA Joe Biden ka dënuar atë që ai e quajti një sulm “të neveritshëm”. “Ne po hetojmë këtë incident si një krim urrejtjeje dhe një rast të ekstremizmit të dhunshëm me motive racore,” tha në një konferencë për shtyp Stephen Belongia, agjenti përgjegjës i zyrës së FBI-së në Buffalo, shkruan BBC.
I dyshuari besohet se ka drejtuar për disa orë me makinë për të arritur në zonën kryesisht ku jetojnë komuniteti me ngjyrë. Trembëdhjetë persona u qëlluan në total dhe shumica e viktimave ishin me ngjyrë, tha komisioneri i policisë së Buffalo Joseph Gramaglia. Duke folur për CBS, një burim policor pretendoi se djali kishte bërtitur sharje racore gjatë të shtënave.
Tre persona që mbetën të plagosur, të cilët punonin të gjithë në supermarket nuk kanë pësuar lëndime serioze për jetën. Një oficer policie në pension, i cili punonte si roje sigurie, u përpoq të qëllonte të dyshuarin, por ishte në mesin e të vrarëve, thanë zyrtarët. I dyshuari Payton Gendron, mbante një pushkë me fuqi të lartë dhe ishte veshur me antiplumb dhe një helmetë, tha policia. Pas një përplasje të dhunshme dhe thirrjeve të policisë, ai ka dorëzuar armën dhe është dërguar në burg.
Grady Lewis, i cili u bë dëshmitar i sulmit, tha për mediat lokale se e pa djalin të hapte zjarr. “E pashë djalin që hyri brenda, si ushtar, i përkulur, vetëm duke qëlluar mbi njerëzit”, tha ai. Shonnell Harris, e cila po punonte në dyqan gjatë sulmit, i tha Buffalo Neës se dëgjoi më shumë se 70 të shtëna ndërsa vrapoi për t’i shpëtuar plumbave nga një derë e pasme.
“Dyqani ishte plot. Ishte fundjavë,” tha ajo. “Ishte një makth”. Duke përshkruar pasojat e sulmit, një oficer policie i tha Buffalo News: “Është si të ecësh në një film horror, por gjithçka është e vërtetë. Është si Harmagedoni”. Nga ana tjetër guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul tha se i dyshuari ishte një “supremacist i bardhë që është përfshirë në një akt terrorizmi”. Në një deklaratë, presidenti amerikan Joe Biden tha se ai dhe Zonja e Parë po luteshin për viktimat dhe familjet e tyre.