Shqipëria do të legalizojë kanabisin për qëllime mjekësore! Kjo tashmë është fakt, ka thënë kryeministri Edi Rama, pasi në Formularin e Këshillimit Kombëtar, 61% e qytetarëve kanë votuar “pro”. Në prezantimin e përgjigjeve të këtij formulari, Rama tha se kjo do të ndikojë në rritjen ekonomike të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
“Do të legalizojmë kanabisin dhe do hapim një front të ri pune dhe rritje ekonomike, përveç rritjes së aspektit teknologjik, ç’ka kanë thënë qytetarët, do të realizohet”, tha Rama.
Në formularin e Këshillimit, qytetarët u pyetën: Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa legalizuar për arsye të përdorimit vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore, ju si mendoni? Kësaj pyetje, 308.992 janë pozitivisht, 148.092 kanë votuar jo, dhe 51.051 nuk e di, ose e thënë me %, 61% pro, 29% kundër dhe 10% nuk e di. Kur do të ndodh kjo? Rama tha “shumë shpejt”, por nuk dha një datë konkrete.”Shumë shpejt. Jo të gjitha do të bëhen menjëherë, por të gjitha do të bëhen si e kanë kërkuar qytetarët”, tha Rama.
Në total, në formularin e Këshillit Kombëtar, kanë votuar 563 195 qytetarë. Kjo shifër, për Ramën, i ka kaluar pritshmëritë e tij, teksa u kujdes të theksonte se ky nuk është një referendum zyrtar, por tha se ishte një këshillim me qëllim që të ndikojë në vendimmarrjet e qeverisë. “Në pritshmërinë time ishin 300 mijë përgjigje mbi 500 mijë i ka kaluar pritshmëritë si herë e parë. Ky nuk është një referendum zyrtar por një këshillim dhe ka peshë edhe një grup interesi prej 20 vetash. Kjo lidhet me vendimmarrjet tona dhe jo për t’i i imponuar të tjerëve ndonjë gjë. Na kanë dhënë një respekt shumë të madh dhe do jua kthejmë të respekt”, tha Rama.