Sot është Dita Botërore e Autizmit e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.
Shënimi i kësaj dite është vendosur më 2 prill 2007 dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore.
Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm.
Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse.
Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet.
Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike.
Në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Presidenti Ilir Meta i është bashkuar fushatës globale “Ndriço Blu”!.
Kështu mbrëmjen e sotme ndërtesa e Presidencës është ndriçuar blu.