
Katër shtetas nga Saranda janë arrestuar në kushtet e flagrancës nga Policia në Doganën e Qafë Botës, pasi kishin vjedhur në Greqi disa krerë bagëti të trasha, dhe po tentonin t’i kalonin nëpërmjet kufirit të gjelbër për në Shqipëri.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Botës, Sarandë, gjatë patrullimit në kufirin e gjelbër, në vendin e quajtur “Katajeto”, Bashkia Konispol, kanë bllokuar disa bagëti (viça), që katër shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, po i fusnin nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek, për në Shqipëri.
Personat e kapur nga Policia Kufitare janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë, për veprime të mëtejshme. Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, shtetasit:
– Florjan Doda, 57 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë; Erion Bendaj, 38 vjeç, banues në fshatin Gjashtë; Xhuljo Doda, 23 vjeç, banues në fshatin Shëndelli, Mario Doda, 50 vjeç, banues në Sarandë. Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.