Ballina Vendi Zjarret në Shëngjin, përmirësohet situata, largohet rreziku për banesat dhe bizneset

Zjarret në Shëngjin, përmirësohet situata, largohet rreziku për banesat dhe bizneset

49

Situata e krijuar nga zjarret në disa zona të vendit, por veçanërisht në Shëngjin, ka shënuar përmirësim në orët e mbrëmjes, pas punës së pandërprerë të qindra forcave operacionale në terren, si dhe ndërhyrjes së dy avionëve Canadair të ardhur nga Italia, pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile.

“Mirënjohje palës italiane për ndihmën si dhe palës suedeze për shprehjen e gatishmërisë. Sipas raportimeve të fundit është shmangur fatmirësisht rreziku për banesat dhe bizneset. Në orët e para të mëngjesit të nesërm do të fillojë sërish ndërhyrja nga ajri me mbështetjen e palës italiane dhe nga toka e qindra forcave operacionale.”, njofton ministria e Mbrojtjes.

Nga ana tjetër është bërë e mundur shuarja e flakëve në vatrën e zjarrit në Kaninë, bashkia Vlorë, ku zjarri përfshiu një sipërfaqe me ullinj si dhe në Nikël, ku u raportua një tjetër vatër zjarri, gatë ditës së sotme.

Ministria falënderon të gjithë efektivët e forcave zjarrfikëse, të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Pyjor, Zonave të Mbrojtura e vullnetarëve për angazhimin në këtë betejë me flakët.