Në seancën publike të së mërkurës, 8 mars, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve caktoi numrin e kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë për çdo bashki që duhet të paraqesin subjektet zgjedhore për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet e datës 14 maj 2023.
Numrin më të madh të anëtarëve të këshillave bashkiakë e ka Bashkia e Tiranës, 62 kandidatë. Ndërsa numrin më të ulët 16, e kanë disa bashki të vogla.
Po të mërkurën u shqyrtuan edhe kërkesat e partive politike dhe komiteteve nismëtare, për regjistrimin si subjekte zgjedhore në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
Komisioneri vendosi regjistrimin si subjekte zgjedhore të 42 partive politike dhe 4 komiteteve nismëtare.
/ rtsh.al /