Shtëpia e Bardhë duket se do të ketë për herë të parë në historinë e saj presidenten e parë grua në Zyrën Ovale, e për më tepër nga komuniteti me ngjyrë. Zv/presidentja demokrate kryeson me 47% sondazhet, Trump vetëm 42%. Para debatit këto shifra ishin në kahun e kundërt. Fansat e Taylor Swift nisin fushatën e regjistrimit të votuesve dhe kanë ndikuar në rezultatet paraprake të sondazheve
SHBA- Shtëpia e Bardhë po duket qartë çdo ditë që kalon, se pas debatit presidencial, do të ketë për herë të parë në historinë e saj një grua në Zyrën Ovale.
Dhe për më tepër një grua që vjen nga komunitetet me ngjyrë, pasi më parë kishte qenë Barack Obama me dy mandate radhazi (2008-2016), që e kishte thyer mitin mbizotërues të racave për mbi dy shekuj histori shteti dhe pas 44 presidentëve (43 në emra, pasi njëri prej tyre është zgjedhur dy herë në mandate të shkëputura, siç po tenton aktualisht Trump).
Dhe bëhet fjalë për Kamala Harris, zv/presidenten në detyrë, kandidate e demokratëve për garën presidenciale, pas tërheqjes së papritur të presidentit në detyrë Joe Biden, për shkak të problemeve me moshën, por edhe ballafaqimit të dobët në debatin e muajit qershor ndaj Trump.
Dhe sondazhet kanë shpërthyer, vetëm 51 ditë para votimit (5 Nëntor)! Sipas Reuters/Ipsos, sondazhi i parë i bërë pas debatit të së martës mes dy kandidatëve (10 Shtator), Harris është përpara me 47%, kundër 42% të Trump.
Një shkëputje prej 5 pikësh, kur para debatit shifrat pothuajse ishin të përmbysura me të njëjtat kuota. E thënë ndryshe, Harris ka rikuperuar që nga 10 Shtatori plotë 10 pikë! Trump tashmë ka refuzuar një debat të ri televiziv me Harris, pasi kjo e fundit pothuajse e ‘dërmoi’ në ballafaqim, ku sondazhet treguan një mbështetje mbi 63% për zv/presidenten, që e kishte edhe debatin e saj të parë.
Dhe sipas analistëve amerikane të politikës, Harris po gëzon mbështetje të gjerë në të gjitha komunitetet dhe madje nivelet e shoqërisë amerikane, që ka 240 milionë votues të regjistruar. E vetmja pikë e dobët e saj mbetet çështja e emigrantëve, por edhe këtë duket se do e kalojë me daljen në fushatë të dy ish-presidentëve amerikanë me shumë prezencë dhe ‘sharm’ për votuesit amerikanë, si Barack Obama dhe Bill Klinton.
Njoftohet se të dy i janë bashkuar fushatës së Harris dhe kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e imazhit dhe pikëve të saj në mbështetje. Një tjetër faktor raportohet sipas “La Repubblica”, është edhe fenomeni “suiftist”.
Bëhet fjalë për mbështetjen publike të hapur para dhe pas debatit presidencial nga këngëtarja më në modë në tregun e muzikës botërore, Taylor Swift.
Menjëherë pas deklaratës së saj se “Harris është presidentja që ka nevojë vendi”, miliona mbështetës të saj u regjistruan për të votuar, sipas parashikimeve, në favor të Harris. Kurse like-t në rrjetet sociale të faqes së saj për komentet e bëra ishin miliona të tjera.
Pavarësisht shifrave premtuese të sondazheve, Harris, ekipi i saj dhe veçanërisht prindërit, tregohen të përmbajtur.
“Ka ende shumë rrugë për të bërë”, u shprehën ata.
Teksa zv/presidentja vijon të rrisë avantazhin, edhe falë fansave të yllit të popit Taylor Swift, që po ndihmojnë në regjistrimin e votuesve. Por edhe bota e kinemasë në Hollywood është thuajse e gjitha kundër Trump, me aktorin Robert de Niro që pak pas debatit i tha votuesve se ish-presidenti është modeli më i keq për Amerikën, e që ka synim vetëm pushtetin personal.
A.Q/Shqiptarja.com