Ballina Lajme Politike Zgjedhjet e 14 majit/ Grupi i Berishës dhe Alibeajt ‘përplasen’ në KAS,...

Zgjedhjet e 14 majit/ Grupi i Berishës dhe Alibeajt ‘përplasen’ në KAS, zgjidhen relatorët që do shqyrtojnë ankesat

1

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur shortin duke caktuar relatorët për të shqyrtuar ankesat e paraqitura nga grupet politike të Partisë Demokratike, të Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt për regjistrimin e tyre në zgjedhjet e 14 majit.

Për shqyrtimin e ankesës së depozituar nga Berisha, shorti ka caktuar Ilirjan Rusmalin ndërsa për grupin politik të Enkelejd Alibeajt është përzgjedhur Koli Bele.

Rezultatet e shortit përcaktuan:

  1. Relator të kerkesës nr. 29 (Kërkesa e PD depozituar nga z. Sali Berisha), z. Ilirjan Rusmali;
  2. Relator i kërkesës nr.30 (kërkesa e partisë “Lëvizja Bashkë”,z. Elvis Çefa;
  3. Relator i kërkesës nr. 31 (kërkesa “Partia Demokratike e Shqiperise”, përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeja), z. Koli Bele.

Dy grupet e PD-së, si ajo e Berishës edhe e Alibeajt kërkojnë zgjidhjen se cila PD do regjistrohet në zgjedhje. Sali Berisha kërkon zhbërjen e vendimit të Celibashit, i cili vendosi që ish-kryeministri të mos regjistrohet në zgjedhje me siglën e Partisë Demokratike.

Në argumentim, Berisha thotë se KQZ nuk mund të refuzojë regjistrimin e PD përfaqësuar nga Sali Berisha, vetëm bazuar mbi mungesën e shkresës së regjistrit të partive politike, pasi sipas tij në regjistrin e partive politike vijon të mbeten të dhëna të pasakta dhe të vjetëruara.

Kërkesa e Rithemelimit, në datën 9 mars nuk u pranua në KQZ për shkak se Lulzim Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Sali Berisha.

Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument dhe që duhet firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë.

Gjithashtu, është zgjedhur relatori Elvis Cefa që do të shqyrtojë edhe ankesën e paraqitur nga “Lëvizja Bashkë” e cila kërkon regjistrimin në zgjedhjet vendore të 14 majit.