Teksa ka nënvizuar sërish se PD do të hyjë me koalicion në zgjedhjet vendore të 14 Majit, ish-kryeministri Sali Berisha në një dalje për mediat këtë të hënë ka paralajmëruar se koalicioni do të ketë zhvillime të reja që do të komunikohen ditën e nesërme.
Berisha theksoi se PD ka një koalicion me Ilir Metën, sipas të cilit, Partia e Lirisë angazhohet të mbështesë kandidatët tanë e primareve në të gjithë Shqipërinë.
Më tej ai vijoi akuzat ndaj Ramës, duke u shprehur se është kreu i qeverisë, ai që urdhëroi vendimin e gjykatës së Apelit për vulën e PD
“Ka një vendim të Këshillit Kombëtar të PD. PD hyn në këto zgjedhje në koalicion.
Ka një koalicion me Ilir Metën, të parin fare, sipas të cilit, Partia e Lirisë angazhohet të mbështesë kandidatët tanë në të gjithë Shqipërinë. Ky koalicion do njohë zhvillime të tjera të reja dhe do komunikohen nesër zhvillimet e reja të këtij koalicioni.
Ne jemi të bindur se koalicioni është tmerri i Edi Ramës. Edi Rama është i tmerruar nga këto zgjedhje.
Ai urdhëroi gjykatës të pamoral, pa ndërgjegje profesionale dhe njerëzore, të shkelmojnë ligjet. Ai, me pengjet e tij, po degradon çdo institucion të këtij shteti. Dy gjëra dua t’u them: Njohja e Alibashës me autorizimin e një të dorëhequri, ekziston në një formë të ngjashme vetëm te Shpirtrat e Vdekur të Çiçikovit. Si episod! Nuk ka në historinë e botës një autorizim të vlefshëm. Këto janë testamente të njerëzve pa moral, të pengjeve që shfrytëzohen në mënyrën më të turpshme.
Së dyti, nuk ekziston në asnjë ligj dhe Kushtetutë, që zyrtari që jep dorëheqjen, duhet të regjistrojë dorëheqjen në gjykatë. Këtu tejkalohet. Askush asnjëherë në këtë vend nuk ka vënë kurrë në dyshim deklaratën e dorëheqjes. Siç bën Edi Rama me Lulzim Bashën. Këto vijnë nga tmerri që ai ka nga vota e lirë. Ai e ndjen se është i humbur, ai e ndjen se ka shpërthyer një urrejtje popullore ndaj tij, që nuk ka të krahasuar, përveç urrejtjes ndaj Enver Hoxhës”-tha Berisha.