Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti këtë të premte konferencën e përjavshme me gazetarët, ku u ndal te fushata e zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Berisha theksoi se fushata e opozitës ka elektrizuar vendin dhe sipas tij kjo duket në të dhënat e botës digjitale e cila flet për kandidatët e opozitës.
“Fushata elektorale e opozitës ka elektrizuar anëkënd vendin. Flamuri i fushatës është në duart e opozitës.
Alternativat e saj janë alternativat që kanë pushtuar mendjen, zemrën e shqiptarëve, vatrat e tyre familjare.
Civiliteti i fushatës së opozitës është shembullor. Projektet, programet e qeveritarëve vendorë të ardhshëm janë një garanci e madhe për ndryshimin e shpejtë të gjendjes dramatike të bashkive tona.
Por janë njëkohësisht rivendosje pluralizmi politik në qeverisjen vendore në Shqipëri.
Të gjitha këto kanë një kontrast të madh me krahun tjetër. Siç e shihni, bota pa censurë, që është bota dixhitale, zien e tëra për opozitën.
Para se të vija këtu, në një votim prej 12 mijë vetësh në portalin e studentëve, 69 përqind votonin për Belind Këlliçin. Rinia e tëra pas tij, ndërkohë po nga bota dixhitale, javën që kaloi, Lal Fallci e mbylli me indeksin më të lartë të neverisë në mediat sociale.
Indeks, i cili ishte 20 herë ose dhe më shumë, i lartë se rivali i tij.
Pra, ajo që çka shpreh mendimin real të qytetarëve, faktohet si një triumf i padiskutueshëm i opozitës”, tha Berisha.