Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky, janë takuar në pak para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, e cila po drejtohet nga kreu i qeverisë shqiptare.
Zelensky me anë të një postimi në rrjetin social “X”, ka falënderuar publikisht kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës, përfshi edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku vendi ynë ka presidencën.
Zelensky ka shpërndarë një fotografi nga takimi me Ramën, ambasadorin Ferit Hoxha dhe ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, pak para nisjes së mbledhje së Këshillit të Sigurimit që drejtohet nga Shqipëria.
Zelensky gjithashtu njofton se me Ramën kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për mbështetjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
“Jam takuar me Edi Ramën për të falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e Ukrainës, duke përfshirë edhe brenda Këshillit të Sigurimit.
I jam veçanërisht mirënjohës Shqipërisë për anëtarësimin në Deklaratën e G7 për garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Ne nënshkruam gjithashtu një deklaratë të përbashkët për mbështetjen për integrimin e Ukrainës në NATO”, shkruan Zelensky në rrjetet sociale.
Presidenti Zelensky është ftuar të mbajë fjalën e tij në Këshillin e Sigurimit, ndërsa përfaqësuesi rus ka akuzuar pak më herët se Presidenca e Shqipërisë në KS po shkel praktikat duke kundërshtuar praninë e liderit ukrainas.