Ballina Lajme Zbardhet vrasja e biznesmenit/Grekët babë e bir i kishin shqiptarit 75 mijë...

Zbardhet vrasja e biznesmenit/Grekët babë e bir i kishin shqiptarit 75 mijë euro borxh, e mbytën dhe zhdukën trupin

1

Krim i shëmtuar dhe monstruoz ai që ka ndodhur në Rodos të Greqisë, ku një biznesmen shqiptar ndërtimi, baba i tre fëmijëve të mitur, u vra dhe trupi i tij u fsheh, nga pronari i një hoteli dhe djali i tij, pasi u kishin borxh 30 mijë euro dhe e futën në kurth, kinse do të takoheshin për ta shlyer.

Xhani Hamit Topalli është 46 vjeçari nga Shqipëria që prej kohësh jetonte në Faliraki, Rodos me gruan dhe tre fëmijët e tyre të vegjël, raporton noa.al e cila ka zbardhur hetimet e plota që publikoi policia dhe prokuroria lokale.

Trupi i pajetë i 46-vjeçarit është gjetur në një rrugë të shkretë mes Psinthos dhe Afantos, ndërsa dosja do t’i kalojë sot Prokurorisë Publike për procedim të mëtejshëm.

Natën duke gdhirë dita e sotme, u arrestuan pronari i një hoteli në Kalythies, S.G., 53 vjeç dhe djali i tij N.G., 20 vjeç. Vdekja është shkaktuar nga mbytja me litar dhe burri shihet si përgjegjës kryesor, ndërsa për bashkëpunim është arrestuar edhe djali i autorit pasi dyshohet se e ka ndihmuar në zhdukjen e trupit! Që të dy gjithsesi akuzohen për vrasje të kryer në bashkëpunim.

Babë e bir rrëfyen se e kishin vrarë emigrantin shqiptar të cilit i kishin borxh 75 mijë euro. Topalli kishte bërë rikonstruksion të hotelit të tyre që më 2019 dhe pasi kishte kaluar shumë kohë ende nuk po shlyhej prej tyre.

Rrëfimi: E mbytjes me litar, e zhvesha dhe e hodha në rrugë të shkretë

Xhani Topalli

Kontraktori i ndërtimit, baba i tre fëmijëve të mitur, ka pasur një takim të dielën e datës 28 gusht 2022 në mbrëmje. Hotelieri i kishte thënë të takoheshin për t’i dhënë atë që i takonte shqiptarit, sipas marrëveshjes që kishin bërë.

Sipas informacioneve të “Demokratiki” që citon noa.al, 53-vjeçari është njohur me kontraktorin në vitin 2014, kur ata kishin një partneritet. Në vitin 2019, 46-vjeçari Topalli ka marrë përsipër rinovimin e hotelit të autorit, duke rezultuar në një borxh të grekut ndaj shqiptarit, rreth 75 mijë euro.

Mbrëmjen e së dielës, viktima ka shkuar në hotelin e 53-vjeçarit, me durim të sosur dhe ka kërkuar sërish paratë e tij, 75 mijë euro të papaguara prej mëse tre vitesh.

Greku pretendon në dëshminë e tij se shqiptari ka bërtitur duke u përpjekur të sulmojë të birin 20 vjeçar.

Më pas, sipas asaj që pretendon autori, i ka dalë para, për të mbrojtur djalin e tij nga goditjet e kontraktorit dhe ka nisur sherri mes tyre. Më pas, i shtyrë nga instinktet e tij siç pretendon ai, ka kapur një litar të cilin ia ka shtrënguar viktimës në fyt dhe e ka mbytur duke e hedhur më pas në tokë ku në këtë moment ka konstatuar vdekjen e Topallit. Më pas së bashku me të birin e kanë zhveshur, i kanë hedhur rrobat dhe trupin e kanë fshehur pranë një rruge të shkretë ku është gjetur nga policia. Po ashtu kanë marrë makinën e tij Honda CRV 4×4, ngjyrë blu dhe e kanë braktisur diku rrotull, gjithsesi në largësi nga hoteli dhe banesa e tyre për të zhdukur gjurmët.