Ballina Lajme Zbardhet marrëveshja për pensionet me Italinë

Zbardhet marrëveshja për pensionet me Italinë

2

Më shumë se 700 mijë shtetasve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali do u njihen vitet e punës edhe në Shqipëri në momentin që dalin në pension. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, dha detaje për marrëveshjen, e cila pritet të miratohet në parlamentin e të dy vendeve.

“Marrëveshja që është dakordësuar bazohet në parimin e trajtimit të barabartë. Ajo mbulon pensionet e pleqërisë, mbulon sigurimet për përfitimet për sëmundjet dhe barrë lindjet, si dhe mbulon sigurimin për papunësinë. çdo shqiptar që ka punuar prej vitesh në Itali, apo ka punuar një pjesë të viteve në Itali dhe në Shqipëri, do t’i njihen vitet e pensionit, në ditën që ai do të dalë në pension, sipas ligjeve respektive të dy vendeve”, u shpreh Ibrahimaj.

Përfitim kanë edhe shtetasit italian që punojnë në Shqipëri.

“Kjo është një marrëveshje e bazuar mbi reciprocitetin, kështu që edhe shtetasit italianë që punojnë dhe derdhin kontribute këtu në Shqipëri, falë kësaj marrëveshjeje mund të përfitojnë, pra nga sigurimet shoqërore në shtetin shqiptar. Kemi komunitet shumë të madh shqiptarësh të integruar që punojnë në Itali, më shumë se 700 mijë në bazë të të dhënave të fundit dhe gati 50 mijë ndërmarrje me NIPT italian janë me drejtues shtetas shqiptar, dhe është një numër shumë i madh”, tha ambasadori Buçi.

Ndërsa 2 mijë kompani italiane operojnë në Shqipëri në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Tv Klan