Pas një jave, konkretisht mbrëmjen e 30 Qershorit, sheshi “Skënderbej”, do të kthehet në një arenë ku do të gumëzhijnë notat dhe ritmet e muzikës latine. Kjo sepse, ai që është konsideruar si “Mbreti i Popit Latin” dhe është shpallur si artisti më i mirë latin i të gjitha kohërave, nga Billboard Latin Music Awards 2020, Enrike Iglezias, pritet të dhurojë një spektakël magjik dhe të paharrueshëm.
Në hollin e jashtëm të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është afishuar edhe rregullorja për të gjithë personat që duan të marrin pjesë në koncert. Disa prej këtyre rregullave shkaktuan edhe polemika, për të cilat Iva Tiço, i komenton si të panevojshme, sepse për një koncert të këtyre përmasave, ato janë të domosdoshme.
Pavarësisht interesit të lartë për blerjen e biletave, nga të rinj shqiptarë dhe të huaj që do të vijnë enkas në Shqipëri për këtë koncert, të tjerë shprehen se minimuni i çmimit prej 62 eurosh, është tejet i lartë sidomos për të rinjtë.
Ky koncert organizohet në Javën e Kulturës Spanjolle. Rreth një muaj pas tij, një atmosferë elektrizuese pritet të dhurojë edhe një tjetër ikonë e muzikës latine, bëhet fjalë për Ricky Martin, i cili në kuadër të turit të tij “RICKY MARTIN SYMPHONIC”, ka vendosur që të bëjë një ndalesë edhe në Shqipëri. Autori i dhjetëra hiteve botërore përveç grupit të tij muzikor do të shoqërohet edhe nga orkestrantë shqiptarë.
Për këdo që do të blejë bileta për koncertin e parë të Iglesias, do t’i ofrohet një kupon ulje prej 20% në koncertin e Ricky Martin.
Iglesias është një nga artistët më të shitur të muzikës latine me shitje të vlerësuara prej mbi 70 milionë disqe në mbarë botën. Ai ka pasur pesë këngët më të mira të Billboard Hot 100, duke përfshirë dy numrin një.
Që nga tetori 2020, Iglesias mban pozicionin numër një në tabelat e Artistëve më të Mëdhenj të Gjithë Latinëve.Gazetare: Ornela Ceka/RTSH/