Xhubleta shqiptare është bërë pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se veshja, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.
“Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë! Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO. Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit!”, shkruan ministrja.
Xhubleta, artefakti i rrallë i trashëgimisë tonë materiale, daton mbi 4 mijë vjet më parë. Studiues dhe koleksionistë e vlerësojnë si mbretëresha e kostumeve popullore shqiptare.
/rtsh.a/