Xherdan Shaqiri, shqiptari i Zvicrës iu bashkua grupit elitar të Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, pasi ai bëhet vetëm futbollisti i tretë që ka shënuar në secilën nga tri Kupat e Botës së fundit.
Shaqiri, 31 vjeç, hapi rezultatin për zviceranët në fitoren e mbrëmshme 3-2 ndaj Serbisë për të siguruar biletën në 1/8 finale të “Katar 2022”. Shaqiri kaloi në avantazh Zvicrën në minutën e 20-të, kur gjuajtja e tij e fortë u devijua nga Strahinja Pavlovic.
I lindur në Kosovë, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, Shaqiri vrapoi drejt tifozëve kundërshtarë për të festuar, duke vënë gishtin te buzët pasi ishte tallur më parë nga ajo pjesë e turmës.
Shaqiri shënoi golin e hapjes dhe më pas luajti një rol kyç në fitore. Ai pasoi topin në zonën e penalltisë për Ruben Vargas, i cili e asitoi Freuler për golin tjetër. Pavarësisht këtyre golave, Shaqiri nuk ishte i kënaqur që të zëvendësohej në minutën e 69-të. Përpara se të ulej në stol, ai goditi anën e pankinës me bërryl.
Dy kombëtaret u takuan në fazën e grupeve edhe të Botërorit të kaluar 2018. Fitorja i buzëqeshi Zvicrës, me gola të Shaqirit dhe Xhakës, që festuan me shqiponjë. Për pasojë, të dy u gjobitën për festimin me simbolin kombëtar të shqiponjës së Shqipërisë.
Xhaka dhe Shaqiri kanë trashëgimi shqiptare, kanë lindur në Kosovë. Serbia, gjithashtu u gjobit dhe u paralajmërua nga FIFA për “shfaqjen e banderolave dhe mesazheve diskriminuese” nga mbështetësit e saj.
Një njoftim u bë në stadiumin “974”, gjatë ndeshjes së të premtes, që dukej se kishte të bënte me thirrjet e tifozëve serbë. FIFA nuk deshi të sqaronte se çfarë ishte njoftimi pas ndeshjes. Kundër Portugalisë, zviceranët do të kërkojnë të arrijnë në çerekfinale për herë të parë që nga kompeticioni në vitin 1954.