Ballina Lajme Vuçiç bën prova lufte në kufi me Kosovën, inskenohet “pushtimi i Serbisë”

Vuçiç bën prova lufte në kufi me Kosovën, inskenohet “pushtimi i Serbisë”

18

Serbia bën prova gjenerale për luftë, në një periudhë tensionesh të larta me Kosovën. Presidenti Aleksandër Vuçiç, që ndoqi nga afër stërvitjen ushtarake “Vorbulla 2024”, urdhëroi këto manovra, siç thuhet, për të përmirësuar taktikat në operacionet luftuese. Fillimisht u inskenua një “pushtim i Serbisë” nga një armik imagjinar, në Peshter, një zonë pranë kufirit me Kosovën.

Kjo ngjalli reagimin e ushtrisë që angazhoi me mijëra trupa, tanket M-48 dhe T-72, automjete të blinduara, obusët vetëlëvizës 155 milimetra, avionët e luftës MiG-29, një sërë helikopterësh dhe aeroplanë transportues. Ashtu siç ngriti alarmin dhe ministri i mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në A2 CNN, serbët lëshuan dhe dronët kamikazë sulmues. Pikërisht me këtë armë të re u krenua Vuçiç.

“Sot kishte shumë teknika të reja. Pamë tanke krejtësisht të reja të modernizuara, dronë zbulimi, dronë kamikazë dhe artilerinë që goditën objektivat e tyre. Tani po hyjmë në një prodhim më të fuqishëm të dronëve kamikazë. Jam i kënaqur me gatishmërinë e ushtrisë sonë”, deklaroi Vuçiç.

Në këto prova lufte nuk mungoi krahu i djathtë i Vuçiçit, lideri i Republika Srpska, Millorad Dodik, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara. Pasi kërcënoi me nisma separatiste në Bosnje e Hercegovinë, në këto stërvitje ushtarake tha se mori garanci për aftësitë e Beogradit për të ruajtuar vendin dhe serbët, siç tha ai. Por ai nuk ishte i vetmi i ftuar në këto manovra.

Stërvitjen “Vorbulla 2024” e vëzhguan komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutas, anëtarja serbe e presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviç, dhe deputetët pro serbë të Malit të Zi, Andrij Mandiç dhe Milan Knezheviç.