Ballina Lajme Vrau gruan dy vite më parë në Fier, burg përjetë për Elton...

Vrau gruan dy vite më parë në Fier, burg përjetë për Elton Bengajn

34

Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për Elton Bengajn (Metaj), i cili është dënuar me burg përjetë për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij Sabrina Bengaj.

Gjykata kërkoi që dënimi të bëhet në një burg të sigurisë së lartë.

Kujtojmë se Elton Bengaj (Meta) dhe Sabrina Bengaj kishin lidhur martesë në vitin 2017, martesë nga e cila është sjellë në jetë vajza e tyre.

Bashkëjetesa midis tyre është ndërprerë në vitin 2020, për shkak të dhunës fizike dhe psikologjike të ushtruar nga bashkëshorti Elton Bengaj ndaj Sabrinës e cila së bashku me vajzën e mitur është zhvendosur në banesën e prindërve të saj në fshatin Zhupan, Fier.

Edhe pas ndërprerjes së bashkëjetesës të tyre, Eltoni Bengaj ka vazhduar të ushtrojë dhunë ndaj Sabrinës. Rezulton se, ai ka kërcënuar me armë kallashnikov Sabrinën dhe familjen e saj, fakt për të cilin ai është arrestuar nga policia më datë 19.09.2020.

Një muaj më pas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, mbi bazën e kërkesës së paditëses Sabrina Bengaj, ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për paditësen, me efekt shtirje deri më datë 14.10.2021, duke urdhëruar të paditurin Elton Bengaj  të mos cënojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi, si dhe të mos kryejë vepër penale të dhunës në familje ndaj paditëses Sabrina Bengaj.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin e datës 21.02.2021 ka vendosur zgjidhjen e martesës.

Mbrëmjen e datës 10.09.2021, ish-bashkëshorti Elton Bengaj ka hyrë në banesën e prindërve të ish-bashkëshortes me një armë zjarri kallashnikov në dorë.