Ballina Lajme Vrau biznesmenin shqiptar, italian ‘dorëzohet’ para prokurores pas 17 orësh pyetje! Policia...

Vrau biznesmenin shqiptar, italian ‘dorëzohet’ para prokurores pas 17 orësh pyetje! Policia gjen armën dhe dorashkat që u përdorën në krim

1

Irena Palato është magjistratja italiane që shërben në Prokurorinë e Torinos dhe që ka në duar fatin e zbardhjes së ngjarjes mizore ku iu mor jeta sipërmarrësit shqiptar, Fatmir Ara.

Në urdhrin e lëshuar prej saj për karabinierët dhe grupin e punonjësve që po merreshin me grumbullim e provave, Prokurorja ka kërkuar sekuestrimin e dhjetëra kamerave në 24 orë që të çojnë në vendin e krimit, duke bërë të hapen me qindra orë përgjimesh. Gruaja ka insistuar ta thërrasë të dyshuarin, një punonjës nga Mathi, për ta marrë në pyetje paraditen e djeshme. Seanca e marrjes në pyetje ka zgjatur plot 17 orë, duke e detyruar të dyshuarin të pranojë ngjarjen.

Po ashtu, të japë edhe detajet e krimit të rëndë, ndërkohë që ende nuk bëhen me dije detajet e dëshmisë së aktit monstruoz të torturimit, mbajtjes peng dhe më pas të vrasjes së shkodranit. Të dhënat e djeshme që kanë dalë në lidhje me këtë ngjarje dëshmojnë se janë gjetur arma e krimit dhe dorashkat që janë përdorur në torturimin e shqiptarit, por Policia dhe Prokuroria janë të kujdesshme në nxjerrjen e motiveve dhe të personave të tjerë që kanë marrë pjesë në krim. Sipas të dhënave që vijnë nga mediat vendase mësohet se i riu italian, që është i moshës 30 vjeç, të jetë një emër i paskeduar për policinë vendase, por ai dyshohet se është personi që i ka marrë jetën me armën e vet, të cilën e posedonte dhe tashmë është në duart e grupit hetimor.

ARRESTIMI

Policia italiane ka vendosur në pranga një nga autorët e dyshuar të vrasjes së shqiptarit, Fatmir Ara në San Carlo Canavese. 30-vjeçari italian është arrestuar mbrëmjen e së martës, pasi Policia hetoi qindra orë filmime në kamerat e sigurisë përreth zonës ku u gjet trupi i viktimës. I dyshuari ka ndryshuar disa herë versionin e tij të ngjarjes para hetuesve derisa ka pranuar krimin, duke dhënë indikacione të sakta për gjetjen e telefonit të viktimës, i hedhur larg nga vendi ku ndodhi vrasja, dorezat e përdorura për ekzekutimin e shqiptarit dhe armën. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe për të kuptuar nëse 30-vjeçari italian veproi i vetëm apo kishte bashkëpunëtorë.

Fatmir Ara, 43-vjeçari shqiptar i gjetur pasditen e së shtunës pa shenja jetë në fshatin San Carlo, sipas autopsisë u vra me tre plumba, një prej të cilëve në kokë. Ai u ekzekutua me armë gjahu dhe para krimit u dhunua nga autori. Ara ishte vrarë të premten, një ditë para se të gjendej trupi i tij i pajetë.

Ai u zhduk mëngjesin e së premtes pasi u nis për të shkuar në punë dhe nuk u kthye më në shtëpi, ku ndodhej edhe në arrest shtëpiak. Bashkëjetuesja e tij, me të cilën kishte dy fëmijë, denoncoi zhdukjen e tij mëngjesin e së shtunës. Trupi i pajetë u gjet pasdite në një fushë në zonën Ronchi-Ceretti. Ai kishte me vete dokumentet dhe kuletën dhe jo shumë larg viktimës u gjet makina e tij. Fatmir Ara ka pasur disa probleme me sistemin e drejtësisë, është dënuar për armëmbajtje pa leje, ishte denoncuar për keqtrajtim dhe ishte arrestuar në vitin 2020 i akuzuar për drejtimin e një rrjeti droge që, sipas hetuesve, furnizonte sheshin e Ciriès. Nga e kaluara e tij nisën hetimet e karabinierëve dhe nuk përjashtohet pista që të jetë vrarë për larje hesapesh.© Panorama.al