“Arrest me burg” vendosi gjykata e Fierit përXhuliano Mihaj, autorin e vrasjes me thikë të 23-vjeçarit Xhimi Bakaj të premten në mbrëmje në lagjen “11 janari” të këtij qyteti. 39-vjeçari Mihaj ka shprehur pendesë në gjykatë për ngjarjen. I pyetur para gjykatës ai ka mohuar që thika me të cilën ai i mori jetën të riut të ishte e tij. Ai tha se ia ka marrë atë viktimës gjatë përleshjes me njëri – tjetrin.
“Kemi pasur debate të herë pas hershme. Kam pasur kërcënime nga viktima. Unë e kam denoncuar tre herë në policinë e Fierit. Nuk doja ta vrisja. Çdo gjë ka ndodhur në zënkë e sipër. Jam bërë pishman për çfarë ka ndodhur. U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës”, – ka pohuar ai në sallën e gjyqit.
Trupi gjykues që kryesohej nga Vladimir Cjapi pasi ka dëgjuar akuzën e prokurorisë, por edhe mbrojtjen ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 39 vjeçarin.
Shkak për vrasjen e të riut dyshohet se është bërë divorci mes autorit dhe bashkëshortes së tij 33-vjeçare me të cilën ka dy fëmijë. Mësohet se gruaja kishte disa muaj që ishte larguar nga banesa dhe bashkëjetonte me 23-vjeçarin. Autori e ka takuar në rrugë viktimën dhe pas një debati e ka qëlluar tri herë me thikë. ©LAPSI.al