Ballina Lajme Vrasja e Ruzhdi Hoxhës/ Familjarët kërkuan burg përjetë për Fredi Rrushin, Apeli...

Vrasja e Ruzhdi Hoxhës/ Familjarët kërkuan burg përjetë për Fredi Rrushin, Apeli jep vendimin

31

Gjykata e Apelit, ka rrëzuar kërkesën e familjarëve të biznesmenit Ruzhdi Hoxha, duke lënë të pandryshuar dënimin me me 10 vite burg për autorin e vrasjes Fredi Rrushi.

Babai dhe djali i Ruzhdi Hoxhës kishin ankimuar në Apeli vendimin e gjykatës, ku kërkonin ndryshimin në lidhje me kualifikimin e veprës penale nga ajo e “Vrasjes me dashje”, në atë të “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe në bashkim të dënimeve të vendoset dënimi i tij me burgim të përjetshëm.

 

Por kërkesa e tyre është rrëzuar nga Apeli, ku është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Marsela Pepi, Edlira Petri dhe Fatri Islamaj.

Në korrik të vitit 2023, Gjykata e Tiranës, dënoi me 15 vite burg Fredi Rrushin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar shkoi në 10 vite burg. Në pretencë prokuroria e kryeqytetit kishte kërkuar 18 vite burg për Rrushin. Ndërsa, vëllai i autorit, Përparim Rrushi është dënuar me 1 vit burgim.

Trupi i pajetë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha, u gjet më 6 nëntor të vitit 2021 i ekzekutuar dhe i mbuluar me gurë e zhavor mbrapa Dajtit, pasi ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët e tij dy javë më parë. Hoxha kërkohej prej 24 tetorit të atij viti, tre ditë pasi familjarët kishin humbur kontaktet me të. 43-vjeçari ishte biznesmen në fushën e inerteve në Tiranë

Rrushi mendohet të ketë shkuar bashkë me një mikun e tij në Malin me Gropa dhe ta ketë ekzekutuar biznesmenin Hoxha me dy plumba.

Mëngjesin e ditës tjetër, ai u kthye sërish në vendngjarje dhe groposi kufomën.

Sipas hetuesve, autori Fredi Rrushi, mori telefonin e Ruzhdi Hoxhës dhe e hodhi, por ai u gjet rastësisht nga një taksist që e shiti për 10 mijë lekë në një servis ku policia e gjeti dhe e sekuestroi.

Kjo ndihmoi në zbulimin e kufomës e më pas në zbardhjen e vrasjes, e cila ka dyshohet se ka pasur si shkak borxhet që viktima kishte ndaj Fredi Rrushit.