Detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen e biznesmenit shqiptar Ardian Nikulaj. Daily Mail në artikullin e saj, shkruan se vrasja e biznesmenit ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjes mbi 80 mijë paund mes dy familjeve Lekstakaj dhe Nikulaj.
Ndërkaq, tre të arrestuarit për komplotin për vrasjen ndaj 51-vjeçarit kanë dalë të shtunën (29 prill) në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit pas një urdhër-arresti nga Shqipëria për ekstradimin e tyre.
Tre të akuzuarve, konkretisht 37-vjeçarit Edmond Haxhia, 49-vjeçarit Steven Hunt dhe 35-vjeçarit Thomas Mathin iu caktua masa e paraburgimit, pasi akuzohen për atentatin e 19 prillit ndaj 51-vjeçarit Ardian Nikulaj në lokalin e tij, në Shëngjin.
Hunt, Haxhia dhe Mathin janë arrestuar në Britani nga policia mëngjesin e të shtunës (29 prill) dhe pak pas arrestimit të tyre, policia ka vënë në pranga edhe gruan britanike Harriet Bridgeman, 28 vjeç, në lidhje me vrasjen.
Ndërkohë në kërkim mbeten Ruben Saraiva, shtetas portugez, i dyshuar si ekzekutori dhe Harry Simson, shtetas britanik.
Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.
Biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e 19-prillit brenda lokalit të tij në vijën e parë të bregdetit të Shëngjinit.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, policia nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, arriti të zbardhë dhe dokumentojë ngjarjen, duke shpallur në kërkim 6 persona, 5 prej të cilëve shtetas të huaj, dhe nga të cilët 4 prej tyre janë kapur nga autoritetet në Angli.
/rtsh.al/