Policia shqiptare njoftoi të shtunën se 3 prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj pak ditë më parë në Shëngjin, janë arrestuar në Londër.
“Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohen dhe kapen në Londër, 3 prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj” thuhet në njoftimin e shpërndarë për shtyp.
Në pranga ranë Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan, të cilët u arrestuan në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë. Pritet ekstradimi i tyre drejt Shqipërisë.
Ndërkohë në kërkim mbeten Ruben Saraiva, shtetas portugez, i dyshuar si ekzekutori; Harry Simson, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike.
Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen. Ende në kërkim janë ekzekutori dhe 2 bashkëpunëtorë të tjerë në vrasje.
Biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua mesditën e 19-prillit brenda lokalit të tij në vijën e parë të bregdetit të Shëngjinit.
/ rtsh.al /