Propozimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për votim të detyrueshëm me ligj, Partia Socialiste do e hedhë në diskutim brenda grupit parlamentar.
Kreu i këtij grupi, Taulant Balla në një komunikim me mediat, ka deklaruar se të gjitha propozimet do të shqyrtohen në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, teksa shtoi se lidhur me votimin e detyrueshëm me ligj, duhen parë eksperiencat e vendeve të BE-së. Më tej, Balla theksoi se në Kodin Zgjedhor duhet të ndryshojë formula e ndarjes së mandateve.
“Propozimet të shqyrtohen në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Të gjithë ramë dakord që ky komision të mblidhet dhe të marrë në shqyrtim të gjitha propozimet. Objekti punës janë raportet e ODIHR. Ajo që na duhet është që të lemë kohë për zbatimin e legjislacionit. Edhe pse zgjedhjet janë pas 2 vitesh, duhet të kemi kohë në dispozicion që të zbatojmë ato do sjellin si ndryshime. Në kodin zgjedhor duhet të ndryshojë formula e ndarjes së mandateve, duhet të jetë gati dhe të reflektohet në kodin zgjedhor.
Këtë çështje duhet ta diskutojmë brenda grupit për të pasur qëndrimin tonë dhe duhet parë në harmoni me eksperiencat e vendeve të BE-së. Shqipëria e ka pasur para ’90 votimin e detyrueshëm dhe pas ’90 kemi kaluar në ketë formë. Le të jetë një diskutim që të zhvillohet në komisionin e posaçëm”, tha ai.
Sa i përket procedurës për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Kreu i grupit parlamentar socialist këmbënguli te kandidaturat që vijnë nga jurisprudenca dhe jo aktiv në fushën politike.
“E kam thënë qartë. Ne na duhet një avokat populli siç e përcakton Kushtetuta, të jetë i paanshëm politikisht. Kandidaturën e vetme për këtë çështje që refuzuam, ishte sepse ne nuk mund të votoni avokatin e PD-së si avokatin e popullit
Unë mendoj se ka plot nga kandidaturat që kanë shprehur interes. Komisioni i ligjeve të përmbyllë procesin e vlerësimit brenda ditëve në vijim.
Më pas kandidatët të kërkojnë mbështetjen me 28 firma. Këtu i kërkoj opozitës të heqë dorë nga historia që mbështet 10 kandidat me nga 28 firma.
E rëndësishme është që avokati të mos ketë rol aktiv politik.
Duhet të shohim një kandidaturë që gëzon një reputacion në lëmin e jurisprudencës dhe po ashtu të jetë i baraslarguar politikisht”, shtoi Balla, teksa ftoi opozitën që të bëhen bashkë për të votuar ligjet në paketën e reformës zgjedhore.
“Mezi pres të ulemi të diskutojmë dhe të shkojmë ti votojmë. Shumica e ligjeve në këtë paketë kërkojnë një shumicë të cilësuar, të paktën 3/5 e votave”, tha Balla.
/rtsh.al/