Ballina Lajme Vodhi me armë një biznes, arrestohet i riu në Vlorë

Vodhi me armë një biznes, arrestohet i riu në Vlorë

1

VLORË- Policia e Vlorës ka arrestuar një 32-vjeçar, i cili ditën e djeshme nën kërcënimin e armës dhe i maskuar vodhi një shumë parash në një firmë ndërtimi në fshatin Dukat i Ri. I arrestuari rezulton person me precedent të theksuar penal, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet dhe një aparat celular. Sakaq, është shpallur në kërkim një person tjetër, i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtor i autorit.

Policia informon se ‘shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, në zyrën e një firme ndërtimi, në fshatin Dukat i Ri, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Outsider”, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve të këtij rasti.

Si rezultat i veprimeve të shpejta proceduralo-hetimore, me mbështetjen e inteligjencës informative, është zbardhur ky rast vjedhjeje, si dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, u kap dhe u vu në pranga shtetasi S. C., 32 vjeç, banues në Fier. 32-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi S. C., në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, të maskuar dhe duke kërcënuar me një arme zjarri kallashnikov, kanë marrë një shumë parash, në zyrën e një firme private ndërtimi, në fshatin Dukat i Ri dhe më pas janë larguar me automjet.

Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e bashkëpuntorit të shtetasit S. C. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së këtij krimi, si dhe një celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme’.