Ballina Lajme Vodhën banesat e zyrtarëve, nënë e bir dalin para gjykatës

Vodhën banesat e zyrtarëve, nënë e bir dalin para gjykatës

1

Nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi, kanë dalë ditën e sotme para gjykatës. Ata akuzohen për vjedhjen e shumave të mëdha në disa banesa. 49-vjeçarja, e cila ishte punësuar si pastruese në këto banesa, së bashkë me djalin e saj, Havierin, kanë marrë në shtëpinë e zyrtares Alda Klosi 120 mijë euro dhe shuma të tjera në banesa të ndryshme.

Havier Dobi, reklamonte në rrjetet sociale jetën e tij të luksit, duke treguar para kesh, makina, varëse floriri e rroba të shtrenjta. Megjithatë në rrethin e tij miqësor ai shprehej se makinat i kishte marrë me qira.

Çfarë kanë bërë nënë e bir?

Rozeta Dobi, 49 vjeç punonte si pastruese në “Rrugën e Kosovarëve”. Në bashkëpunim me djalin e saj, Havier Dobin 23-vjeç, klientët edhe i grabiste. Personi që e denoncoi ishte Alda Klosi. Klosi është ish-zyrtare në kabinetin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, e cila pretendon se Dobi i kishte vjedhur 120 mijë euro. Pastruesja, sipas raportimeve të deritanishme, kishte hyrë në banesë me çelësin që i kishte lënë Klosi për ta pastruar dhe kishte vjedhur para në interval të ndryshme kohore. Ditën e fundit kishte hapur derën me forcë dhe kishte bërë rrëmujë për të inskenuar një grabitje.

Ish-zyrtarja thotë se paratë i kishte ruajtur për të kuruar xhaxhain e saj. Ai ishte me kancer dhe të shtruar në një spital në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por edhe për të ka nisur një hetim për të zbuluar nëse thotë të vërtetën e nëse mund të justifikojë burimin e parave që i janë gjetur në shtëpi. Por Klosi nuk është “viktima” e vetme. Nënë e bir akuzohen edhe nga 4 persona të tjerë se i kanë vjedhur. Pas shumës së 120 mijë eurove, në shtëpinë Dobi, në tubin e aspiratorit janë gjetur edhe mbi 400 mijë euro të tjera.