Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i hap rrugë rritjes së pagave për punonjësit e Bashkive në gjithë vendin. Me këtë vendim, pagat në 61 bashkitë e vendit do të unifikohen. Pra, një jurist do të paguhet njësoj si në Bashkinë e Tiranës ashtu edhe në bashkinë e Dibrës.
TIRANË– Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i hap rrugë rritjes së pagave për punonjësit e Bashkive në gjithë vendin. Me këtë vendim, pagat në 61 bashkitë e vendit do të unifikohen. Pra, një jurist do të paguhet njësoj si në Bashkinë e Tiranës ashtu edhe në bashkinë e Dibrës.
Rritja e pagave kap nivelet nga 40% deri në dyfishim të pagës për disa profesione specifike.
“Riklasifikuam nivelet e pagave, duke ndryshuar skemën. Nga një skemë e cila i ndante bashkitë në 5 grupime dhe në varësi të madhësisë së bashkive kishte edhe nivele të ndryshme pagash, në nivele pagash të unifikuar të të gjitha bashkive, pavarësisht madhësisë, duke dhënë mundësinë që një jurist, një arkitekt, ekonomistë etj merr një pagë të ngjashme në të gjitha bashkitë”, tha ministri për pushtetin vendor Arbjan Mazniku.
Po ashtu, nga viti 2025 bashkitë do përfitojnë fondin nga buxheti i shtetit përmes një formule të re. Ministri për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku tha se është ngritur një grup pune për rishikimin e formulës. Mazniku shpjegoi se performanca do të jetë një element për ndarjen e fondeve, por garantoi se asnjë bashki s’do marrë më pak nga buxheti i shtetit se një vit më parë.
“Kemi ngritur grup pune që po merret me rishikimin e formulës për shpërndarjen e garantit. Në buxhetin e 2025 do ketë formulë të re dhe një nga elementët do jetë edhe treguesi i performancës. Asnjë bashki s’do marrë më pak para se një vit më parë”, tha Mazniku.
Ndërkohë, qeveria ka miratuar edhe ndryshimet në orarin e punës për punonjësit e administratës, që parashikojnë më shumë fleksibilitet. Administrata do duhet të punojnë 8 orë e 30 minuta nga e hëna në të enjten, dhe 6 orë të premten. Ndërkohë, punonjësit mund të zgjedhin të shkojnë në punë kur të duan, mjafton që puna të mos lihet bosh çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri 13:00 ditën e premte”, tha ministrja Adea Pirdeni.
Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj njoftoi se Këshilli i Ministrave ka miratuar sot pr.ligjin për produktet organike shqiptare. Pr.ligji do të rregullojë parimet për certifikimin e operatorëve organik, përdorimin e etiketave dhe reklamimin, si edhe rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit.