Aktori dhe aktivisti Leonardo Di Caprio ka reaguar pas shpalljes së lumit Vjosa “Park Kombëtar”, duke e konsideruar si një ditë historike. Me anë të një mesazhi në rrjetin social Tëitter, Di Caprio shkruan se tashmë Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë ndërsa shton se ky vendim përbën vizionin e ri për ruajtjen globale të ujit.
“Sot është bërë historia. Bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, shoqërisë civile dhe biznesit ka krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë. Lumi Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë, nga burimi në det, për ta shijuar brezat e ardhshëm. Një vizion i ri për ruajtjen globale të ujit është këtu. Urime për të gjithë ata që e bënë realitet këtë përpjekje të mahnitshme”, shkruan Di Caprio.
Sakaq, kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetin social Facebook me pamje nga Parku Kombëtar i Vjosës.
“MIRËMËNGJES dhe me Parkun Kombëtar të Vjosës ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.