Ballina Lajme Vetëvrasja e nënkomisarit në Durrës, Balla: Do përkujdesemi ndaj punonjësve të policisë,...

Vetëvrasja e nënkomisarit në Durrës, Balla: Do përkujdesemi ndaj punonjësve të policisë, të ofrojmë shërbimin me psikolog

12

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka theksuar se duhet rritur komunikimi dhe përkujdesha ndaj punonjësve të policisë në mënyrë që të mos përsëriten ngjarje si ajo e pak ditëve më parë ku një punonjës policie u vetëvra me armën e shërbimit.

I pranishëm në analizën e punës së policisë së Durrësit për vitin 2023 Balla u shpreh se ndihet keqardhur për ngjarjen dhe përpos hetimit që po zhvillohet, “na vjen keq që nuk na la mundësinë për të shqyrtuar një ankesë të mundshme të tij.”

Prej atij momenti të parë, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, kemi bërë të gjitha verifikimet tona, edhe si koleg, por edhe si qytetar, se kush janë shkaqet që e kanë çuar në atë vendim.

Të them të drejtën nuk na dha mundësinë që ta merrnim në konsideratë një ankesë prej tij, qoftë për faktin që Policia e Shtetit ka qenë e detyruar të zbatojë një vendim gjykate. 

Por na duhet një përkujdesje më e madhe dhe një komunikim më i hapur dhe më miqësor me çdo punonjës Policie në të gjitha nivelet për të kuptuar në fakt edhe problematika të tjera, që ndoshta nuk lidhen me punën e policisë, edhe një qasje tjetër të shërbimit me psikolog”, u shpreh Balla.

Gjithashtu, Balla komentoi edhe problematikën në rritje të bullizmit që haset në rrjetet sociale duke paralajmëruar për një ndryshim të mundshme kuadrit ligjor. Ai tha se jemi njohur me një praktikë që mund të vihet në zbatimin në shtetin e Floridës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po propozohet që të ndalohet përdorimi i rrjeteve sociale për fëmijët e moshës nën 16 vjeç.

Në lidhje  me analizën e punës së policisë së Durrësit Balla tha se në 10 vitet e fundit kemi 56 ngjarje kriminale të pazbardhura ende, por mori garanci nga drejtori vendor i policisë  për një plan konkret për shqyrtimin dhe zbardhjen e tyre.

/rtsh.al/