Punonjësit e policisë së Burgjeve nuk do të mbajnë më armë jashtë shërbimit. Vendimi është komunikuar këtë të mërkurë (8 mars) nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku janë miratuar disa ndryshime në ligjin për Policinë e Burgjeve. Manja bëri me dije se me anë të këtyre ndryshime, synohet rregullimi i sistemit të gradave të ulëta dhe të mesme në Policinë e Burgjeve.
“Sot kemi problematike për gradat e mesme. Duke patur mungesë të punonjësve të policisë të rolit bazë, është bllokuar efekti zinxhir në nivelet e mesme dhe nivelet të larta. Ne synojmë të rregullojnë sistemin e gradave në policinë e burgjeve duke e bërë sistem karriere. Jo çdokush që vjen nga jeta civile mund ë bëhet pjesë e policisë së burgjeve, tanimë përparimi në gradë dhe ngritja në detyrë në policinë e burgjeve do ketë efekt zinxhir. Ndryshimi i fundit ka të bëjë me përdorimin dhe llojet e armëve që u lejohet të përdorin policët e burgjeve. Me këto ndryshime punonjësve nuk do u lejohet mbajtja e armëve jashtë shërbimit”, tha Manja.
Sakaq, Manja deklaroi se po ashtu, ndryshimet e miratuara në ligj, përcaktojnë rregulla të qarta për ripranimin në Policinë e Burgjeve të ish-punonjësve të larguar me dorëheqje dhe hapin dritare për pranimin dhe të kandidatëve të tjerë nga struktura policore ose ushtarake që plotësojnë kriteret sipas ligjit.
Një tjetër zgjidhje që vjen për Policinë e Burgjeve me anë të këtyre ndryshimeve, ka të bëjë me plotësimin e vakancave. Ministri Manja, shprehet se aktualisht ka një numër të lartë të vakancave dhe nëpërmjet këtyre ndryshimeve, do të marrë zgjidhje kjo problematikë.
“Heqim kufirin e moshës deri 35 vjeç për t’u bërë pjesë e policisë së burgjeve, pasi ky kufizim moshor nuk ka rezultuar efektiv në zbatimin në praktikë. Vendosja e kufizimeve moshore është kriter diskriminues. Ne me këtë ndryshim, e heqim këtë kufizim moshor”, theksoi Manja.
/rtsh.al/