Ballina Lajme Politike Vendimi i gjykatës, Berisha duhet të paraqitet në SPAK në orën 10:00

Vendimi i gjykatës, Berisha duhet të paraqitet në SPAK në orën 10:00

12

Ish-kryeministri Sali Berisha duhet të paraqitet në SPAK ditën e sotme në orën 10:00. Gazetarja Glidona Daci raportoi se nëse ai nuk shkon dhe nuk dërgon një shkak të arsyeshëm dy prokurorët e çështjes kanë në dorë që t’i dërgojnë një shkresë ku e njoftojnë se në rast se nuk paraqitet të hënën e tretë të muajit do të ketë ashpërsim të masës së sigurisë.

“Duke qenë se Berisha është në një moshë të thyer, nuk lejohet që t’i caktohet një masë shtrënguese arrest me burg, por e vetmja masë sigurimi që mund të aplikohet në këtë rast është arrest në shtëpi”, tha Daci.

Të gjitha këto mund të ndodhin në rast se nga ana e Berishës nuk pranohet të zbatohet vendimi i Gjykatës së Posaçme Kundër korrupsionit dhe Krimit të organizuar të dhënë nga gjyqtarja Irena Gjoka vetëm disa ditë më parë. Ajo i caktoi Berishës detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore dhe gjithashtu urdhëroi që të mos largohet jashtë territorit të Shqipërisë.

Gjatë ditës së sotme do duhet të paraqitet edhe biznesmeni Fatmir Bektashi sepse edhe atij i është caktuar detyrim paraqitjeje.

Ndërkohë avokati i Berishës ankimoi vendimin për detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë shteti.

Kujtojmë se ish-kryeministri refuzoi të marrë pjesë në gjyq, me pretendimin se nuk mund të shkelë Kushtetutën. Berisha përmend nenin 73 pika 2 ku theksohet se deputetit nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria, pa autorizimin e parlamentit.

Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për privatizimin e ish-kompleksit sportiv. Malltezi u la në masën e sigurisë arrest në burg, i cili gjithashtu ankimoi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme./tvklan.al