Ekipi i Alexei Navalnit ka ngritur pretendime se trupi i tij po mbahet qëllimisht nga qeveria ruse. Zëdhënësja e Navalny-t, Kira Yarmysh, i tha BBC-së se ekipi i Navalny-t beson se, Vladimir Putin urdhëroi vdekjen e aktivistit, i cili ishte ndoshta kritiku më i famshëm i presidentit rus.
Ajo ka thënë: “Ne e dimë me siguri se nuk ishte një vdekje e rastësishme, ishte një vrasje”.
“Ata po mundohen të mbulojnë gjurmët, prandaj nuk po ia japin trupin familjes së tij. Ata po u fshehin trupin familjarëve”.
Yarmysh tha se nuk e dinte se ku është trupi dhe kur do t’i jepet familjes së Navalnit. Ajo ka shpjeguar se sipas ligjeve ruse, trupi i një të burgosuri duhet t’u jepet të afërmve brenda dy ditëve pas vdekjes.
Më herët, Ministria e Jashtme ruse tha se hodhi poshtë vlerësimet “të njëanshme dhe joreale” nga MB për shkakun e vdekjes së Navalnit.
Burgu ku ai vuante dënimin i tha nënës së Navalnit se ai vdiq nga sindroma e vdekjes së papritur. Hetuesit rusë kanë thënë se trupi i Alexei Navalny nuk do t’i dorëzohet familjes së tij derisa të përfundojë një hetim, sipas zëdhënëses së aktivistit Kira Yarmysh.
Aleati i Navalny, Ivan Zhdanov postoi një përditësim në X, dikur Twitter, duke thënë se familja e Navalnit pret kthimin e trupit të tij. Ekipi i Navalnit ka pohuar se ai është vrarë dhe ka akuzuar autoritetet ruse se kanë mbajtur trupin e tij për të “mbuluar gjurmët”.
Burgu ku Navalni kaloi ditët e fundit i izoluar
Me nofkën ‘Ujku Polar’, burgu ndodhet mbi Rrethin Arktik dhe përshkruhet si një “koloni e regjimit të veçantë”, me temperaturat në rajon që bien nën -30 gradë C në dimër.
Është aq shumë në periferi të qytetërimit, saqë e bën pothuajse të pamundur për vizitorët që të arrijnë në atë vend. Navalny u transportua në burg nga burgimi i tij i mëparshëm në koloninë Melekhovo, afërsisht katër orë larg Moskës, ku ai kishte vuajtur një dënim dy-vjeçar.
Gjatë kohës së tij në burg ai vuante nga probleme shëndetësore, ndoshta si pasojë e helmimit me Novichok, për të cilin kishte kërkuar trajtim jetë shpëtues në Perëndim.
Duke raportuar dhimbje të shpinës, dhimbje stomaku dhe mpirje në këmbë, politikanit të opozitës iu mohua aksesi në dosjet mjekësore, ilaçet dhe i nënshtrohej kontrolleve çdo orë gjatë natës.
Më 22 janar, ai shpjegoi se si gardianët e burgut i zgjonin shpesh të gjithë në orën 5 të mëngjesit për të luajtur himnin kombëtar rus.
“Dhe menjëherë pas kësaj – kënga e dytë më e rëndësishme në vend: “Ya Russky” e Shamanit,” tha ai, një këngë që përkthehet në “Unë jam rus” dhe është bërë një himn jozyrtar i Vladimir Putinit.
Megjithatë, humori dhe karizma e tij ishin ende të dukshme në dhjetor, kur ai dha një pasqyrë të udhëtimit 1,930 km nga Melekhovo në Kharp.
“20 ditët e transportit tim ishin goxha rraskapitëse, por unë jam ende në humor të mirë, siç i ka hije një babagjyshi”, tha ai me shaka.
(Pamje e burgut IK-3, ku Alexey Navalny është mbajtur që nga dhjetori)
/rtsh.al/