E cilësuar si një akset kryesore rrugore në territorin e qytetit të bashkisë së Fierit prej disa kohësh rruga “Kastriot Muço” ka njohur në vijimësi një sërë transformimesh nga investimet që janë kryer dhe po kryhen aktualisht. Rruga “Kastriot Muço” ka një zgjatim nga qendra e qytetit të Fierit në drejtim të rrugës së Grecallisë. Ky investim merr një rëndësi të veçantë pasi synohet që t’i jepet zgjidhje trafikut të rënduar të mjeteve dhe për të krijuar sigurinë e nevojshme për këmbësorët.
Investimi nisi nga qendra e qytetit për të vazhduar drejt Spitalit Rajonal Memorial dhe për t’u lidhur me Bypassin e Fierit. Kryebashkiaku Armando Subashi ka bërë të ditur që në fillin të zbatimit të këtij projekti se kjo rrugë do të jetë me tre korsi. Duke pasur edhe mirëkuptimin e banorëve kjo rrugë është zgjeruar nga të dy krahët. Për ndërhyrjet e nevojshme është paraparë edhe kompensimi i banorëve që preken nga prishjet e mureve rrethuese apo edhe ndonjë ndërtimi sipas planit të parashikuar për zgjerimin e saj.
Është synuar që edhe në këtë rrugë të ruhen standardet e kohës, tre korsi të plota me dhjetë metra gjerësi. Në bashkëpunim me OSHEE punohet për të sistemuar të gjitha linjat elektrike për t’i futur të gjitha në tokë. Gjatësia e rrugës nga Hekurudha te lidhja e Bypass-it që është rreth një km ka rëndësinë e vet pasi është shndërruar në një portë hyrëse dhe dalëse për në qytetin e Fierit.
Një rol të veçantë në këtë proces rikonstruksioni ka marrë edhe puna e bashkisë si përmes fondeve të caktuara nga buxheti i saj apo dhe puna fizike me mjetet e saj dhe punëtorët e ndërmarrjes përkatëse. Ndryshimet në infrastrukturën rrugore në qytetin e Fierit kanë bërë të rritet vlera e shtëpive që shtrihen përgjatë rrugëve ashti si dhe në rasti ne rrugës “Kastriot Muço.”/Tv Kombi