Ballina Lajme Vala e re e emigracionit, aplikimet për azil pothuajse dyfishohen në janar-korrik;...

Vala e re e emigracionit, aplikimet për azil pothuajse dyfishohen në janar-korrik; Ikin mbi 10 mijë persona

1

Pasi ranë në vitin e pandemisë dhe mbetën të ulëta në 2021-n, aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian kanë filluar të rriten sërish me rikthimin e lëvizjes pa kufizime.

Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor në 7 muajt e parë të vitit u regjistruar gati 5800 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shifra është dyfishuar, duke dëshmuar për një tendencë të re të rigjallërimit të emigracionit.

Megjithatë, në krahasim me vitet e mëparshme numri i azilantëve mbetet i ulët, edhe për faktin se tashmë shumë persona po ikin me kontrata pune, apo të tjerë nuk regjistrohen më si azilantë ndaj është e vështirë të identifikohet numri i saktë i personave që po largohen nga vendi.

Eurostat nuk i raporton më të dhënat për Mbretërinë e Bashkuar, që nga dhjetori 2020, pas daljes së saj nga BE.

Por, të dhënat zyrtare të Autoriteteve Britanike tregojnë se rreth 4729 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vendin e tyre dhe janë regjistruar si azilkërkues gjatë periudhës janar-qershor 2022, një shifër që është sa 80% e të gjithë kërkesave për azil në 27 shtetet e tjera të Bashkimit Europian, duke e çuar në total shifrën e aplikimeve në mbi 10 mijë. Kërkesat për azil vetëm në 6 muajt e parë të 2022-t janë më të larta se gjithë viti 2021, kur ishte shënuar dhe numri më i lartë rekord deri tani.

Numri më i lartë i azilantëve nga Shqipëria në vendet e BE u regjistrua në vitin 2015, kur një valë masive emigracioni nisi në vend. Në periudhën janar-korrik 2015 u shënuan gati 34 mijë kërkesa ndërsa për gjithë atë vit numri iu afrua 70 mijë. Më pas ritmi ra gradualisht, ndërsa në vitin pandemik u shënua niveli më i ulët i dekadës së fundit. Megjithatë, tendenca për të ikur u rigjallërua sërish pas pandemisë.

INSTAT prej dy vitesh po e shtyn zhvillimin e Censit, i cili do të jepte një panoramë të saktë që ka mbetur aktualisht në Shqipëri. Zyrtarisht në vend ka gati 2.8 milionë banorë, njësoj sa kur u zhvillua Censi i fundit në 2011-n, ndonëse mesatarisht migracioni neto luhatet në rreth 20-50 mijë persona në vit dhe shtesa natyrore e popullsisë është minimale, madje në vitin e pandemisë kaloi negative.

Kërkesat për azil në Europë
Sipas Eurostat, në qershor 2022, 65 645 aplikantë për azil për herë të parë (qytetarë jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, 66% më shumë krahasuar me qershorin 2021 (39 515) dhe 4% krahasuar me majin 2022 (63 105).

Rritja nga maji në qershor 2022 mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së aplikantëve për herë të parë nga Tunizia (+990 persona; ose +82%), Turqia (+850; ose +31%) dhe Pakistani (+645; ose +22). %).

Në qershor 2022, kishte edhe 6 190 aplikantë të mëvonshëm (persona që riaplikuan për azil pasi ishte marrë një vendim për një kërkesë të mëparshme) me rritje 2% krahasuar me qershorin 2021 dhe një rënie me 1% krahasuar me majin 2022.

Në qershor 2022, sirianët ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (8 600 aplikantë për herë të parë). Ata u pasuan nga afganët (7 705), venezuelianët (4 705), kolumbianët (3 840) dhe turqit (3 625).

Në mars 2022, pati një rritje të madhe të azilkërkuesve ukrainas për herë të parë (nga 2 370 në shkurt në 12 885 në mars) për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Megjithatë, shifrat u ulën në 1 295 dhe 975 përkatësisht në maj dhe qershor 2022./Monitor