Ballina Lifestyle & Showbiz Vajza shqiptare mahnite jurine ne “The Voice of Finland”

Vajza shqiptare mahnite jurine ne “The Voice of Finland”

3

Këngëtarja e re me origjinë shqiptare Argjenda Aliu, ka mahnitur jurinë në spektaklin “The Voice of Finland” me performancën e këngës në gjuhën angleze “Yours” të këngëtares, Ella Henderson.Argjenda u përzgjodh për të marrë pjesë në spektaklin e talenteve “The Voice of Finland” mes 1500 kandidatëve. Që në fillim të spektaklit ajo i mahniti të gjithë anëtarët e jurisë me zërin e saj duke interpretuar aq bukur, kur të gjithë kthyen karriget e tyre duke e duartrokitur Argjendën, bashkë me publikun në sallë. Ajo po e vazhdon këtë rrugëtim të suksesshëm me shpresën për të shkëlqyer drejt finales. Për CMG ajo ka rrëfyer fillimet e saj në muzikë që në moshë shumë të vogël, lidhjen me instrumentet muzikore dhe planet e saj drejt skenave botërore.

CMG: Përshëndetje Argjenda! Mirë se erdhe në programin “Muzika shqip”! Urimet tona për pjesëmarrjen tënde në “The Voice of Finland”!

Argjenda Aliu: Faleminderit për komplimentet dhe ftesën për në programin “Muzika shqip”!

CMG: Argjenda, ti bëre të ndjehen krenar të gjithë shqiptarët me paraqitjen tënde në skenën e “The Voice of Finland”. Na trego si nisi ky rrugëtim, dhe cili ishte ideatori për t’u regjistruar në audicion?

Argjenda Aliu: Ky rrugëtim ka filluar me përkrahjen e madhe të familjes. Babi im më ka mbështetur më së shumti, ndërsa idenë për të konkuruar në “The Voice of Finland” ma ka dhënë motra ime, e cila quhet Kosovarja, ku së bashku me motrën kemi punuar shumë, jemi ushtruar shumë për të dalë sa më mirë në audicion.

CMG: Ti u përzgjodhe në fazën e parë midis 1500 talenteve finlandezë. Si u ndjeve kur gjatë interpretimit tënd, e gjithë juria u ngrit në këmbë vetëm për ty?

Argjenda Aliu: Ajo ka qenë një ndjenjë shumë speciale, një ndjenjë të cilën nuk mund ta shpjegoj dot me fjalë. Në atë moment isha shumë krenare për veten dhe shumë e lumtur njëkohësisht.