Ballina Lajme Ushtruan dhunë ndaj Petraq Milos/ Arrestohen 2 punonjësit e policisë malazese

Ushtruan dhunë ndaj Petraq Milos/ Arrestohen 2 punonjësit e policisë malazese

1

Janë arrestuar 2 policët të cilët akuzohen se ushtruan dhunë ndaj zyrtarit të Partisë së Lirisë, Petraq Milo. Ngjarja u regjistrua më 15 janar të këtij viti në pikën kufitare të Malit të Zi, teksa në pranga kanë rënë policët e identifikuar si Nikolla Boljeviç dhe Dragan Shqekiç.

Profesor Petraq Milo u dhunua nga efektivët malazezë teksa po priste në radhë me automjet me familjen e tij për të kaluar kufirin me Shqipërinë, ndërsa video u bë publike nga mediat malazeze.

Zyrtarët e Departamentit të Sigurisë së Ulqinit, me urdhër të prokurorit të shtetit në Prokurorinë Themelore të Shtetit në Ulqin, kanë arrestuar dy zyrtarë të Drejtorisë së Policisë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës. Dyshohet se veprën penale në fjalë zyrtarët policorë e kanë kryer me datë 15.01.2023 në vendkalimin e përbashkët kufitar Sukobin-Muriçan, duke përdorur forcë të tepruar gjatë ushtrimit të kompetencave zyrtare ndaj shtetasve të huaj dhe do të dërgohen te prokurori kompetent i shtetit për veprime të mëtejeshme”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze.

Për ngjarjen reagoi këtë të mërkurë edhe kryeministri Dritan Abazoviç, i cili tha se Milo nuk ka respektuar rregullat dhe radhën në doganën e Muriqanit.

Ndërkohë Komiteti i Helsinkit dënoi dhunën e ushtruar nga policia malazeze, duke e konsideruar të turpshme dhe të papranueshme, teksa kërkoi edhe dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm malazez, Filip Axhiq.

Lidhur me ngjarjen nuk ka patur asnjë reagim nga autoritetet shqiptare dhe as nga Partia e Lirisë.

/rtsh.al/