Kryekomisionerja Ursula von der Leyen viziton të enjten Tiranën, në kuadrin e një turi ballkanik. Axhenda e bisedimeve pritet të përfshijë një sërë çështjesh afatshkurtra të javëve në vijim, por sidomos mbajtjen e Samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin perëndimor për herë të parë në rajon, në Tiranë, njofton RTSH.
Ndërsa është planifikuar në ditën e dytë të turit pas Prishtinës, takimet me Tiranën zyrtare mendohet të prekin një sërë aspektesh, ku pas paketës europiane për energjinë, më i afërt duket takimi vjetor i Procesit të Berlinit që do të mbahet vetëm pak ditë më pas në kryeqytetin gjerman.
E shpallur pak ditë më parë nga komisioneri i Zgjerimit, paketa e energjisë për rajonin duket si diskutimi më i ngutshëm i ekzekutivit europian në turin e kreut të saj që nis nga Shkupi.
Televizioni publik njoftoi pak ditë më parë se përgatitjet dhe pritshmëritë janë që të ketë tre marrëveshje, më në fund të nënshkruara nga të gjitha vendet e rajonit, një praktikë që nuk ka arritur të realizohet asnjëherë në këto 8 vite të këtij procesi.
Kjo është vizita e parë që kryekomisionerja Von der Layen realizon në Tiranë pasi vendi ka hapur bisedimet e anëtarësimit, të cilat janë aktualisht në procesin e shqyrtimit legjislativ.
AXHENDA:
Programi i vizitës së Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian në Tiranë, 27 Tetor 2022
14.30 – Ceremonia e mikpritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
15.45 – Takim bilateral mes dy delegacioneve në Kryeministri
16.30 – Konferencë për shtyp mes Kryeministrit Edi Rama dhe Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian në sallën COD, Kryeministri.