Këtë të premte, Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi u paraqit në SPAK. Në një njoftim organi i akuzës ka bërë me dije se ndaj Bushit ka pasur 7 kallëzime, ndërkohë që për 3 prej tyre është regjistruar procedim, 2 janë dërguar në gjykatat e rretheve, ndërsa 2 të tjera janë pushuar si çështje.
“Ndaj Artur Bushit rezulton se kanë ardhur gjithsej 7 materiale kallëzuese, nga të cilët:
Për 3 materiale kallëzuese është regjistruar procedim penal.
• Për 2 materiale kallëzuese është vlerësuar të dërgohen për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.
• Për 2 materiale kallëzuese është vendosur mosfillim procedimi.
Në lidhje me procedimet penale rezulton:
- Për një procedim penal është vendosur të dërgohet në Gjykatë me kërkesë për pushim (pa persona të regjistruar në regjistrin e procedimeve penale).
• 2 procedime penale janë në fazën e hetimit dhe emri i shtetasit Artur Bushi, deri në këtë faze të hetimit, nuk është i regjistruar në regjistrin e procedimeve penale”-thuhet në njoftim.
Artur Bushi mban postin e kryetarit të Bashkisë së Krujës që prej gushtit të vitit 2015.
Thirrja e Artur Bushit në SPAK, vjen një ditë pas arrestimit të një tjetër kryebashkiaku socialist. Lefter Alla u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme pas dyshimeve për abuzimin me tenderin e ujësjellësit të Bulqizës.